Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza në një konferencë për media, ka thënë se situata ekonomike në vend është duke u vështirësuar si rezultat i pandemisë COVID-19.
Hamza ka thënë se është vonuar procedimi dhe aprovimi i buxhetit për këtë vit.
“PDK ka treguar dhe dëshmuar se e kemi vendosur interesin e shtetit dhe qytetarëve mbi interesat politike, e kemi aprovuar vendimin për zgjatjen e shfrytëzimit të ndarjeve buxhetore, e kemi përkrah dhe votuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare financiare si dhe kemi votuar rishikimin e buxhetit pa asnjë kusht”, ka thënë Hamza.
Hamza ka thënë se tash jemi në një situatë ku po flasim për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, duke thënë se nuk dëshirojnë të bëjnë pengesa në këtë drejtim.
“Na po kërkojmë, opozita po kërkon që të ulemi dhe ta bëjmë më të mirën për vendin. Ligji që ka ardhur në Kuvend nga Qeveria nuk është adekuat, nuk ka substancë, nuk është i duhuri që i përkrah bizneset dhe kategoritë që kanë nevojë për përkrahje”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se bizneset duhet të përkrahen me grante, kjo nënkupton përkrahje financiare pa pas nevojë bizneset me i kthy paret.
“Po i referona bizneseve të vogla, zanatlinjve, gastronomisë dhe ndërmarrjeve që merren me eksporte dhe atyre prodhuese e sidomos atyre bizneseve që janë goditur më së shumti nga pandemia”, u shpreh Hamza.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, më tej ka folur edhe për fondin e kursimeve pensionale-Trustin.
Hamza ka thënë se janë të interesuar që të hapet mundësia që një pjesë e këtyre fondeve të investohen në ekonominë e Kosovës, me garanci që kontributdhënësit mos me qenë të shqetësuar për sigurinë e këtyre mjeteve, transmeton Telegrafi.
“Nuk jemi si PDK tu e pengu që njerëzit mos mi marr paratë e Trustit, na po duam diçka përtej kësaj. Sepse është diskutuar ndryshe, kurse tash jemi në një situatë që njerëzve ju kanë rrit pritjet. Propozimi i jonë është që të gjithë ata kontributpagues që i kanë deri në 10 mijë euro (i bie që ata kanë të drejtë mi tërheq 1 mijë euro) të rimbursohen tu kthehen pagesat që kur të dalin në pension ti kenë prapë këto pra. Ky rimbursim të bëhet brenda 5 viteve”, ka thënë Hamza.
Ai ka shtuar se janë të gatshëm me u ul me diskutuar dhe mi prezantua propozimet e tyre që sipas tij janë shumë racionale, duke mos e cenuar stabilitetin makrofiskal dhe aspektin financiar të shtetit.