Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, po e përmbyll angazhimin e tij në Kosovë me një vizitë te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe tha se në po këtë mënyrë edhe kishte nisur mandatin.
Ai sot pati një takim lamtumirës me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, me të cilën më pas shkoi për homazhe te shtatorja e ish-presidentit Rugova.
“Siç e përmendi edhe Presidentja, tre vite më parë, pothuajse saktësisht tre vite më parë, në fillim të janarit 2002, erdha në këtë vend. I dorëzova kredencialet e mia Presidentes, dhe akti im i parë zyrtar publik ishte të bashkohesha me Presidenten për të vendosur një kurorë këtu te statuja e ish-Presidentit Rugova. Dhe më dukej shumë e përshtatshme që akti im i fundit zyrtar si ambasador i SHBA në Kosovë të ishte të mbyllja këtë cikël duke bërë të njëjtën gjë”.
Ai lavdëroi këmbënguljen e Rugovës dhe vlerat për të cilat qëndronte.
“E bëj këtë në kujtim të Presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatë, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar.”
Hovenier tha se e ka njohur Rugovën kur ishte “diplomat junior”.
“Pata kënaqësinë ta njihja atë si një diplomat shumë i ri në atë kohë dhe e respektoja jashtëzakonisht shumë. Prandaj, jam shumë krenar dhe i nderuar që mund t’i bëj këtë nder si aktin tim të fundit zyrtar”.
Ai tha se vendi i tij do që të shohë Kosovën të përparojë dhe shtoi se s’ka asnjë dyshim që Kosova ka përparuar.
“Gjithashtu, dua të falënderoj popullin e Kosovës. Ka qenë detyra e ëndrrave të mia të shërbej si Ambasador i SHBA këtu për këto tre vite dhe të kem këtë mundësi të punoj së bashku me popullin e Kosovës për të ndihmuar avancimin e vendit”.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm”.
“Ka qenë kënaqësia dhe nderi im të luaj një rol të vogël në mbështetjen e këtij procesi. Së bashku me popullin amerikan, ju uroj të gjithëve çdo sukses. Do të largohem si një mik edhe më i fortë i Kosovës sesa isha kur mbërrita”, përfundoi ai.