Se situata në futbollin kosovar është tejet e rënduar, tashmë hapur e pranojnë edhe klubet, derisa faji kryesor mbetet tek Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit.
Ajo e ka bllokuar futbollin duke mos e licencuar Federatën e Futbollit të Kosovës, ani pse kjo e fundit tashmë i ka plotësuar të gjitha kriteret gjë të cilën e ka konfirmuar edhe ministri, Hajrulla Çeku.
Telashet kanë mbetur tek klubet ku një pjesë e tyre nuk ka arritur t’i plotësojë kriteret rreth dokumentacionit.
30 klube ditë më parë ishin tubuar në ambientet e FFK-së dhe kërkuan nga Ministria të bëjë një zgjidhje, pasi e kanë të qartë që këtu faji nuk është tek Federata por tek vet klubet dhe komisioni duhet ta ketë parasysh këtë. Mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi.
Përfaqësuesi i klubeve, Tahir Batatina hapur kritikoi ministrin Çeku duke thënë se ai nuk po e dëgjon kërkesën e tyre.
Burime të Demokracia.com mësojnë se ka tendenca që në këtë situatë të përqahen klubet dhe të fillojë një luftë mes tyre, megjithatë, deri tash nuk është arritur. Madje nesër pritet një tetër takim masiv i skuadrave kosovare dhe t’ia bëjnë të qartë ministrisë se ato janë më të bashkuara se kurrë dhe kërkojnë një zgjidhje nga ajo.
FFK në anën tjetër është duke punuar ngusht me ato dhe po u ndihmonë në plotësimin e dokumentacionit.
Sipas sekretarit të FFK-së, Taulant Hodaj, FFK-ja si federata më masive në vend ka një numër të madh të klubeve dhe jo të gjitha kanë mundur t’i plotësojnë gjitha dokumente, e që sipas tij janë të shumta, por FFK po bënë çmos për t’ju ndihmuar që edhe ato t’i bëjnë gati dokumentet dhe kjo situatë rreth licencimit të përfunojë një herë e mirë.