Në portë është përzgjedhur Faton Maloku i Dritës. Besnik Krasniqi i Dritës, Ilir Krasniqi që luajti për Llapin, Lumbardh Dellova që ishte te Ballkani dhe Arlind Veliu i Malishevës kanë zënë vend në mbrojtje.
Mesfusha përbëhet nga Drilon Hazrollaj i Malishevës, Albert Dabiqaj i Dritës,, Lindon Emërllahu e Almir Ajzeraj i Dritës.
Në sulm, sipas votave të trajnerëve, janë përzgjedhur Muhamet Hyseni që luajti për Llapin dhe Mevlan Zeka i Suharekës.
Hazrollaj është golashënuesi më i mirë i vitit me 23 gola.
Prej çmimeve më të rëndësishme është ai “Fadil Vokrri”, që i ndahet lojtarit më të mirë të përfaqësueses. Këtë vit ka shkëlqyer Edon Zhegrova. Ai u paraqit në nivel të lartë sidomos në Ligën e Kampionëve me Lillen. Ndaj Real Madridit ishte lojtar i ndeshjes. Sulmuesi i krahut ka pasur paraqitje të mira edhe në Ligue 1 të Francës dhe me Kosovën.
“Ndihem shumë i lumtur për çmimin e po ashtu që e mban emrin e legjendës Fadil Vokrri. Shpresoj se viti 2025 do të jetë edhe më i suksesshëm. Shpresoj të arrijmë qëllimet me Kosovën dhe me klub. Me Kosovën shpresoj të arrijmë synimet bashkë me trajnerin Franco Foda dhe bashkëlojtarët”, ka thënë Zhegrova.
Klubi më i mirë i vitit u shpall ai kampion, Ballkani. Ilir Daja, që udhëhoqi Ballkanin drejt titullit, u shpall trajner i vitit. Daja tashmë është te Dinamo e Tiranës. Drita e Gjilanit është shpallur klubi më ferplej, derisa Visar Kastrati u shpall arbitri më i mirë i vitit.
Albulena Fejza e Mitrovicës u shpall futbollistja më e mirë e vitit. Mitrovica është shpallur klubi më i mirë i vitit në futbollin e femrave. Ky klub fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.
Në futsal, klubi më i mirë është Prishtina 01, ndërsa Drilon Maxharraj lojtari më i mirë.
Në ceremoninë e mbajtur të premten mbrëma, FFK-ja ka ndarë edhe shumë çmime e mirënjohje të tjera.