Kryeministri Avdullah Hoti ka zhvilluar sot një bashkëbisedim virtual me presidentin e Francës, Emmanuel Macron ku është diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, liberalizimin e vizave dhe lëvizjet e fundit të Gjykatës Speciale.
Hoti dhe Macron ndër të tjera kanë biseduar për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë me njohje reciproke në kufijtë aktual, raporton Gazeta Express.
Zyra e Kryeministrit njofton se bashkëbiseduesit janë dakorduar që të organizohet një takim i nivelit të lartë për rrjedhat e dialogut me Serbinë sipas formatit të Samitit të Parisit.
“Kryeministri Hoti dhe Presidenti Macron biseduan edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohe reciproke, në kufijtë aktual. Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan që të organizohet edhe një takim i nivelit të lartë rreth ecurisë së procesit të dialogut, sipas formatit të Samitit të Parisit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit Hoti.
Një iniciativë e tillë për një takim të nivelit të lartë nën ombrellën e shteteve anëtare të BE’së vjen në një kohë kur Ëashingtoni gjendet në një periudhë të tranzicionit të pushtetit. Administrata e Trump e cila ka qenë e përfshirë direkt në procesin e negociatave me Richard Grenell dhe Robert O’Brien ka humbur zgjedhjet, derisa në karrigen e të parit të SHBA’së pritet të ulet Joe Biden.
Biden përgjatë fushatës së tij kishte paraqitur një koncept dokument se si do ta trajtojë çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, megjithatë një involvim direkt i administratës së re amerikane nuk pritet deri në fillim të 2021’ës.
Në Samitin e Parisit të mbajtur virtualisht më 10 korrik të këtij viti, kryeministri Hoti kishte renditur pesë objektivat që Kosova synon të arrijë me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.
1.Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të rezultojë në njohje reciproke. Pa një përfundim të tillë të këtij procesi marrëveshja nuk mund të ketë sukses. Njohja e ndërsjellë midis dy vendeve është mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe ecur para për të dy vendet në integrimin evropian.
2. Rezultati i kësaj marrëveshje duhet të jetë gjithashtu detyrim i BE-së për të përfshirë njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së.
3. Anëtarësimi i Kosovës në OKB duhet të jetë gjithashtu pjesë e rezultatit të Marrëveshjes gjithëpërfshirëse të paqes midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo natyrisht nënkupton zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Sigurimit të KB.
4. Anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare dhe hapja e qartë e perspektivës evropiane për Kosovën është objektivi dhe apeli ynë krahas këtij procesi.
5. Personat e humbur dhe viktimat e të gjitha formave të dhunës, dëmeve të luftës, viktimave, janë çështje që na shqetësojnë. Asnjë normalizim nuk mund të bëhet para se të vendoset drejtësia./Express/