Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar ashpër ndaj arsyetimit të Serbisë lidhur me afrimin e trupave të saj ushtarake 50 metra nga kufiri me Kosovën.
Serbia kishte pretenduar se ky veprim ishte bërë për të parandaluar prerjen ilegale të pyjeve.
Megjithatë, Maqedonci përmes një reagimi në Facebook e kundërshtoi këtë pretendim, duke theksuar se sipas ligjit serb, detyra e ruajtjes së pyjeve i përket rojeve të pyjeve, jo ushtrisë.
“Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake? Sepse sipas ligjit të pyjeve të Republikës së Serbisë, konkretisht në nenin 40 të tij, është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë”.
Ai theksoi se prania e ushtrisë serbe e armatosur në kufi, përfshirë automjetet e blinduara, është një përpjekje për të kamufluar veprime ushtarake si masa për ruajtjen e pyjeve.
Maqedonci vuri në dukje se Serbia vazhdimisht përdor arsyetime të paqëndrueshme për të justifikuar prezencën e saj ushtarake pranë Kosovës, përfshirë edhe stërvitjet ushtarake me avionë luftarakë dhe dronë sulmues, siç ishte rasti i stërvitjes “Vihor 2024” në Peshter.
Ai e konsideroi këtë si një tregues të qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë ndaj Kosovës dhe fqinjëve të saj.
“Militarizimi i vazhdueshëm i Serbisë dhe veçanërisht vendosja e shumë kapaciteteve ushtarake në jug të territorit të saj, është një tregues për vazhdimësinë e qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë”.
Në përfundim, Maqedonci theksoi se Kosova mbetet e palëkundur në përpjekjet e saj për integrime euro-atlantike dhe për të zhvilluar kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s, për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e saj dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë globale.
“Gjithsesi, Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në rrugëtimin e saj për integrime euro-atlantike dhe do të mbetet gjithmonë e vendosur që të zhvilloj kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s, të afta për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri në botë”, ka shtuar Maqedonci.