Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, tha se në platformën eKosova për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore deri në ora 16:00 të së shtunës janë pranuar 32,800 aplikime.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ai tha se sistemi është duke funksionuar mirë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit ekipet do të ofrojnë shërbim për mbështetje teknike edhe ditëve të fundjavës prej orës 09 deri në 16 në numrin 0800 30 900.
Kelmendi tha se shtëpitë botuese tashmë i kanë publikuar çmimet e kopertinës së librave dhe ato nuk mund rriten. Po ashtu, sipas tij, kanë publikuar pikat e shitjes për të gjitha komunat.
Në lidhje me vështirësitë për fëmijët të cilët janë regjistruar në shkolla më herët se 6-vjeç, tha se rastet e tilla po verifikohen me një procedurë tjetër.
“Rastet e veçanta kur një fëmijë është regjistruar më herët se mosha 6-vjeçare në klasën e parë po trajtohen duke e dërguar numrin personal të fëmijës, emrin e shkollës dhe Komunën në emailin [email protected]”, tha ai.
Ministria e Arsimit vendosi të rimbursojë prindërit e nxënësve nga klasa e parë deri në të pestën për libra pasi nuk arriti të sigurojë marrëveshje me shtëpitë botuese dhe t’i blinte ajo vetë sikurse ka ndodhur në të kaluarën.