Gjatë një konference për media të mbajtur sot, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka folur edhe rreth mundësisë së rritjes së kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri”.
Stadiumi i vetëm, që i plotëson kushtet për ndeshjet ndërkombëtare, ka një kapacitet prej 13.500 ulëseve dhe pritet të zgjerohet edhe për 8 mijë ulëse.
Tash e një kohë të gjatë Federata e Futbollit e Kosovës ka përgatitur projektin për zgjerimin e stadiumit, kjo gjithmonë pas kërkesë së madhe të opinionit ku vlerësojnë se stadiumit duhet të zgjerohet pasi nuk i plotëson kërkesat e tifozëve sidomos kur luhen ndeshjet e Kombëtares së Kosovës.
Çeku ka thënë se tashmë e kanë një version të një propozimi për zgjerimin e stadiumit dhe se janë në diskutim me FFK-në për ta jetësuar atë.
“Ju siguroj se buxheti s’do të jetë problem asnjëherë për infrastrukturën sportive dhe për këtë e kemi edhe zotimin e ministrit të Financave dhe të kryeministrit”, është shprehur Çeku.
“Një nga prioritetet tona më të rëndësishme është zgjerimi i kapaciteteve të “Fadil Vokrri” dhe besoj se gjatë këtij viti do t’i japim drejtim këtij projekti”, është shprehur Çeku në konferencën për shtyp.