Më 18 gusht Ministria e Ekonomisë kishte shpallur thirrjet për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe në sisteme të energjisë së ripërtrishme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit sanitar.
Në thirrjen për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente përfshihet subvencionimi i makinave rrobalarëse, makinave enëlarëse dhe frigoriferëve ose frigoriferëve me ngrirëse.
Mirëpo për shkak të zhvillimeve të reja që lidhen me subvencionimin e prindërve që kanë nxënës në shkolla, sistemi ishte bllokuar disa ditë.
Sipas njoftimit të ri nga Ministria e Ekonomisë, ky problem teknik tashmë është rregulluar dhe platforma është funksionale e pa vështirësi aplikimi.
“Gjatë ditës së premte dhe të shtunë, më 25 dhe 26 gusht, platforma e-Kosova ka hasur në disa probleme teknike. Si pasojë e kësaj, aplikimi për masat e subvencionimit për pajisje efiçiente nuk ka qenë i mundur për disa prej jush”, ka njoftuar Ministria e Ekonomisë.
Vlera e subvencionimit për një (1) pajisje makinë rrobalarëse është 200.00 €. Për prindërit vetushqyes vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është 300.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është 400.00 €.
Vlera e subvencionimit për një (1) pajisje makinë enëlarëse është 150.00 €. Për prindërit vetushqyes, vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është 250.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është 300.00 €.
Vlera e subvencionimit për një (1) pajisje frigorifer ose frigoriferëve me ngrirëse është 100.00 €. Për prindërit vetushqyes vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është 150.00 €. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një (1) pajisje është 200.00 €.
Për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në sisteme të energjisë së ripërtrishme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit sanitar Instalimi i sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, do të subvencionohet vetëm një sistem diellor për ngrohjen e ujit sanitar për një shtëpi dhe sistemi duhet të blihet i ri.
Instalimi i sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar subvencionohet dyzet përqind (40%) e vlerës investive të komplet sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar dhe jo më shumë se 1000.00 €.
Aplikimi për subvencionim bëhet online përmes platformës e-Kosova.
Aplikimi për pajisje shtëpiake efiçiente mund të bëhet në https://ekosova.rks-gov.net/467
Aplikimi për sisteme të energjisë së ripërtrishme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit sanitar bëhet në: https://ekosova.rks-gov.net/468
Informatat e plota mund t’i gjeni në linqet:
https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/08/1Thirrje-publike-nenmasa-B-KF-17.08.2023-final.pdf
https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/08/2Thirrje-publike-nenmasa-C-KF-17.08.2023-final.pdf
Për të dy thirrjet të drejtë aplikimi kanë të gjithë konsumatorët familjar, konsumi mujor i energjisë elektrike i të cilëve nuk është më i vogël se 250 kWh/muaj në të paktën dhjetë (10) muaj brenda dymbëdhjetë (12) muajve të fundit./Telegrafi/