Elon Musk ka marrë përsipër të drejtojë Departamentin e Eficiencës Qeveritare (DOGE) të administratës së presidentit të ardhshëm amerikan, Donald Trump. Departamentin dëshiron ta shndërrojë në një ‘makineri më efikase’.
Në një deklaratë në mediat sociale, presidenti i zgjedhur i SHBA-ve tha se Musk – së bashku me ish-kandidatin republikan për president, Vivek Ramaswamy – do të “shkatërrojnë burokracinë qeveritare, do të eliminojnë rregulloret e tepërta, do të zvogëlojnë shpenzimet e panevojshme dhe do të ristrukturojnë agjencitë federale”.
Ky është një rol që sipërmarrësi i teknologjisë mund ta ketë përgatitur përmes udhëheqjes së tij në biznes dhe një rol që ai e ka argumentuar për muaj të tërë, shkruan bbc.
Por, gjithashtu, ky është një pozicion që pritet t’i sjellë ndikim mbi politikat qeveritare dhe mbi mjedisin rregullator në të cilin veprojnë ndërmarrjet e tij.
Musk tha në një tubim të kandidatit republikan në muajin tetor se besonte që buxheti i qeverisë amerikane mund të kursehej me të paktën dy trilionë dollarë nga rreth 6.5 trilionë dollarë.
Ai gjithashtu ka sugjeruar shpesh se numri i punonjësve të qeverisë mund të zvogëlohej ndjeshëm.
Ndërkohë, Ramaswamy ka propozuar planet për të hequr disa departamente federale, përfshirë Departamentin e Arsimit, Komisionin e Rregullimit të Energjisë Nukleare, Shërbimin e Tatimeve të Brendshëm dhe FBI-në.
Nga Twitter në X
Mënyra se si miliarderi ka udhëhequr kompanitë personale mund të tregojë se çfarë mund të presin amerikanët që ai do të bëjë në DOGE.
Në muajin tetor të vitit 2022, Musk mori në dorë platformën e mediave sociale Twitter – të cilën e ribrendoi si X – përmes një marrëveshje prej 44 miliardë dollarësh (41.7 miliardë euro), për t’i hequr politikat e moderimit të përmbajtjes dhe për të larguar përdoruesit që konsideroheshin se kishin shkelur rregullat e përhapjes së urrejtjes dhe dezinformimit.
Ndër përdoruesit që ai riktheu ishte Trumpi, llogaria e të cilit ishte pezulluar pas trazirave të Kongresit amerikan në janar të vitit 2021 gjersa vazhdoi të pretendonte se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar.
Pas marrjes së kontrollit, Musk solli ndryshime radikale në kompaninë e Twitterit, tani platforma X.
Ai zvogëloi numrin e punonjësve në X nga rreth 8000 në 1500. Në muajin prill të vitit 2023, ai deklaroi se në këtë formë ka vepruar pasi mendon se “nëse anija do të përmbytet, atëherë askush nuk do të ketë punë”.
“Ideja e efikasitetit së miliarderit bënë fjalë për largimin e shumë njerëzve prej punës”, thotë Alex Waddan, profesor i politikës amerikane në Universitetin e Leicester.
Duke u përballur me një largim masiv të reklamuesve për shkak të lehtësimit të politikave të fjalimit në platformë, sipërmarrësi gjithashtu filloi të monetizojë disa elemente të faqes për të rritur të ardhurat.
Ai e ktheu “shenjën e verifikimit” blu – që më parë tregonte se një llogari e profilizuar ishte autentike – në një model abonimi dhe lidhi pagesat e reklamimit për përdoruesit “e verifikuar” me numrin e interaksioneve që ata merrnin.
Por, këto ndryshime kishin disa pasoja të paparashikuara.
Pas reagimeve të ashpra, X i dha “shenjat e verifikimit” ari ose argjendi markave dhe llogarive zyrtare për t’i shmangur ato të ngatërrohen me falsifikime – që do të thotë se shenjat e verifikimit blu tani e tregojnë vetëm se një llogari është paguar.
Për inkurajimin e përdoruesve me një pjesë të të ardhurave nga reklamat, gjithashtu u krijua mundësia që fermat e ashtuquajtura të “bots” të fitonin para duke publikuara përmbajtje të gjeneruar automatikisht për të fituar më shumë interaksione. Musk ka thënë se ekipi i tij ka pastruar vazhdimisht llogaritë e bots.
Kritikët argumentojnë se këto ndryshime i kanë dhënë më shumë rëndësi fjalimit të urrejtjes dhe dezinformimit – megjithatë ai ka mbrojtur se faqja është politike neutrale.
“Si një sipërmarrës, Musk ka qenë i patundur në përpjekjet për të përmirësuar efikasitetin institucional në ndërmarrjet e tij”, thotë Thomas Gift, profesor i shkencave politike dhe drejtor i Qendrës për Politikat e SHBA-së në Universitetin College London.
Ai shton se, ndonëse roli kryesor i Muskut do të jetë “heqja e pengesave të burokracisë që është qeveria federale e SHBA-së”, pozita që do të mbajë, gjithashtu do t’i japë atij ndikim në administratën e re.
“Ndërsa roli i tij në Departamentin e Eficiencës Qeveritare do të jetë një rol më pak formal, nuk ka dyshim se ai ka vëmendjen e Trumpit – të paktën për momentin”, shtroi ai.
Kundër rregullave
Thirrjet e Muskut për një DOGE janë vetë një referencë për një meme që tregon një qen Shiba Inu, i cili më pas i dha emrin monedhës digjitale Dogecoin. Të dyja janë përmendur shpesh prej tij.
Christopher Phelps, profesor i historisë politike moderne të SHBA-ve, thotë se emri është “një aludim për heqjen e rregullave të kriptomonedhave si pjesë e asaj që do të bëjnë”. Çmimet e kriptomonedhave u rritën pas zgjedhjes së Trumpit dhe sinjalizojnë se presidenti i ardhshëm do të ofrojë një mjedis më të relaksuar rregullator.
Por, thirrjet e miliarderit mund të vijnë gjithashtu pjesërisht nga zemërimet që ai ka pasur me ndërmarrjet e tij të tjera: kompaninë e automjeteve elektrike Tesla dhe firmën e raketave SpaceX.
Tesla është akuzuar vazhdimisht nga qeveria amerikane se është përpjekur të parandalojë krijimin e sindikatës së punonjësve – që në disa raste mund të jetë kundër ligjit federal.
Musk – që ka një pasuri neto prej 290 miliardë dollarësh (274 miliardë euro) – ka thënë më parë se ai “nuk është kundër të gjitha sindikatave”, por se sindikata e punëtorëve të automjeteve “ka një histori të shkatërrimit të produktivitetit që e bën një kompani të paaftë të konkurrojë”.
Në muajin shtator, Musk kërcënoi se do të padiste Administratën Federale të Aviacionit për planet e saj për të gjobitur kompaninë e tij SpaceX me 633 mijë dollarë (600 mijë euro) për shkelje të mundshme licencash të lidhura me disa nga lëshimet e raketave nga Cape Canaveral në Florida. Ai e akuzoi agjencinë për “shtrirje të rregullave”.
Ai gjithashtu ka thënë shpesh se dëshiron të kolonizojë Marsin, dhe programi Starship i SpaceX është një përpjekje për ta bërë këtë të mundur, transmeton Telegrafi.
Por në muajin shtator, ai shkroi se kjo është vetëm një mundësi “derisa të mos shtypet nga burokracia” gjersa shtoi se DOGE ishte “e vetmja rrugë për të zgjatur jetën përtej Tokës”.
Pra, shtrohet pyetja se a e ka pranuar këtë rol për ta shfrytëzuar në të ardhmen për bizneset e tij?
Musk “ka përfitime personale nga heqja e rregullave që ai promovon”, thotë Prof. Phelps, duke shtuar se “mendoj se të vendosësh dikë që është miliarder dhe drejton kompani të mëdha në krye të një projekti federal për heqjen e rregullave është natyrisht plot me konflikte interesi”.
“Nuk ka dyshim se Musk ka interesa të rëndësishme të përfshira në peizazhin rregullator të SHBA-ve si rezultat i ndërmarrjeve të shumta”, pohoi Prof. Gift.
“Po ashtu, është e vështirë të argumentosh se ky është i vetmi nxitës që e shtyn atë. Musk ka marrë rreziqe të mëdha personale dhe politike duke dalë në mbështetje të Trumpit, dhe shumë nga aktivitetet dhe retorika duket se reflektojnë një individ që është ideologjikisht i angazhuar për kauzat që ai beson”, shtoi profesori.
Shpërblim për besnikërinë
Musk ka dhuruar një shumë prej 200 milionë dollarësh (190 milionë euro) për fushatën presidenciale të Trumpit ndërsa ka folur në disa nga tubimet e tij.
Prof. Phelps e përshkruan marrëdhënien me Trumpin si “transaksionale”, duke shtuar se roli në DOGE “i jep shumë fuqi simbolike – dhe ndoshta fuqinë për të realizuar gjërat që kanë rëndësi më të madhe për të”.
Pasi miliarderi i lindur në Afrikën e Jugut nuk është qytetar i lindur amerikan, ai nuk mund të bëhet president – diçka që ka zemëruar figura të tjera të njohura që janë përfshirë në politikë.
Por, Musk mund të ketë ndikim mbi politikën e SHBA-ve dhe Trump do ta ketë një këshilltar simpatik.
“Trump po kërkon të rrethojë veten me njerëz besnikë dhe nuk ka askush që ka qenë më besnik se Musk që kur njoftoi mbështetje për Trumpin”, thotë Prof. Gift.
“Jo vetëm që Musk mbështeti Trumpin personalisht dhe financiarisht gjatë fushatës, por ai ka evoluar gjithashtu në një këshilltar të besuar për tema të ndryshme, si politika e teknologjisë dhe lufta në Ukrainë”, shtoi ai.
Në një shenjë të hershme të ndikimit që mund të shpërblehet për besnikërinë e tij, Musk ishte pjesë e një telefonate midis Trumpit dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky pas zgjedhjeve amerikane.
Lufta në Ukrainë do të jetë një çështje kryesore e politikës së jashtme kur Trumpit të marrë detyrën në muajin janar të vitit të ardhshëm.