Arbnor Muja ka bërë hapin e madh në karrierë, duke bërë njërën nga lëvizjet më të mëdha nga futbolli kosovar.
Sulmuesi mitrovicas ka nënshkruar kontratë me gjigantin belg Royal Antwerp, pas vetëm një viti qëndrim te Drita.
Skuadra gjilanase i dha mundësinë Mujës që brenda një viti të paraqitet dy herë në Evropë dhe ai shkëlqeu duke siguruar kontratën e ëndrrave për të kaluar në Evropë.
23-vjeçari tanimë është prezantuar nga Royal Antwerp, të cilët kanë vendosur edhe flamurin e Kosovës, derisa sulmuesi ka nënshkruar kontratë tre vjeçare.
“Arbnor Muja është i kuq”, ka shkruar faqja zyrtare e Antwerpit në rrjetet sociale.
“Kosovari Arbnor Muja ka nënshkruar kontratë me RAFC. Muja (23) vjen nga FC Drita. Tashmë e njohim mirë atë klub pas përballjes së dyfishtë në raundin e dytë kualifikues të UEFA Europa Conference League”.
“Arbnor Muja është një sulmues/anësor i gjithanshëm. Kontrata është 3-vjeçare, me opsion për një sezon shtesë. Muja do të luajë me numrin 11”, ka shkruar Antwerpi në prezantimin e Mujës.