Nënkryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj para gjyqit në Hagë, ka thënë se nuk e njeh Gjykatën Speciale, ani pse u votua nga deputët e Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Haradinaj ka shprehur shqetësimet e tij në paraqitjen e tij para gjykatësit të procedurës paraprake. Ai ka thënë se nuk e njeh Gjykatën Speciale, dhe se asaj i ka skaduar mandati.
“Nuk e njoh këtë Gjykatë, nuk e kam njoftë dhe nuk e njoh, përkundër mandati që u ka dhënë Kuvendi i Kosovës, i ka skaduar mandati. Ne jemi kundër kësaj gjykate, faqezi për deputetët që e kanë sjellur Kosovën në këtë gjendje. Unë për mendimet e mia jam dënu në moshën 15 vjeçare nga regjimi i Milosevicit, unë dhe familja ime.”, ka thënë Haradinaj, përcjell Gazeta Metro.
Mes tjerash, në këtë seancë Haradinaj tha se gjatë paraburgimit, nuk i është lejuar as që ta informojë familjen e tij se është mirë dhe se nuk i janë dhënë as numrat e tyre.
Ndryshe, Haradinaj u arrestua më 25 shtator nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.