Kosovari F.M ka të shtrirë gjyshin e tij që prej një muaji në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK, të cilit po i qëndron afër çdo ditë. Përveç shqetësimeve rreth luftës me COVID, atij i ka lindur një tjetër drojë.
Sipas tij, gjyshit i ka rastisur që, teksa lufton për jetën në shtratin e tij, në dhomën e njëjtë të kenë qëndruar me orë me njerëz që kanë humbur luftën me COVID. F.M tregon se më datë 20 korrik vdiq një pacient, dhe trupi i tij u tërhoq nga shtrati ku po trajtohej tek pas 17 orëve.
“Unë e kam gjyshin që nga data 3 korrik në Pulmologji. Gjatë kësaj kohe sa ka qëndru, në atë dhomë kanë vdekur 6 persona. Vetëm dy javët e fundit kanë vdekur dy persona. Më 20 ka vdekur njëri që ka qëndruar kufoma e tij 17 orë në shtratin ku u trajtu, ku kanë qenë prezentë edhe tre pacientë të tjerë”, ka treguar F.M për Reporterin.
Madje, ai ka thënë se të gjitha rastet e vdekjeve në këto dhoma po trajtohen njëlloj. Sipas tij, një rast i tillë ka ndodhur edhe më një person që vdiq mbrëmë. F.M flet i bindur se personi në fjalë vdiq në orën 01:00 pas mesnate, dhe trupi iu largua tek në orën 14:00.
“Edhe tjetri mbrëmë në orën 01:00 ka vdekur, dhe trupin ia kanë larguar tek sot në orën 14. Që po i bie 13 orë”, ka shtuar ai.
Për F.M, shqetësim është fakti se të vdekurit po lihen në dhomën ku po trajtoheshin, e ku janë edhe disa persona të tjerë. Në të dy rastet e vdekjeve, ai thotë se në dhomë ishin edhe nga tre pacientë të gjallë që po luftonin me COVID 19.
“Problemi është që në aspektin njerëzor. Njeriu edhe familjar me pas, e ka problem me qëndru 17 orë e 13 orë me njeri të vdekur, lëre më kur është në spital duke u shëruar”, ka potencuar ai.
Reporteri ka provuar të flas me Klinikën e Pulmologjisë. Administrata është përgjigjur duke thënë se “drejtoresha është në pushim, por mund ta thirrni në mobil dhe përgjigjet”. Rukije Mehmeti, drejtoreshë e kësaj klinike, nuk është përgjigjur në dy numrat e telefonit.
Sidoqoftë, vetëm sot në Kosovë vdiqën 13 persona, dhe bartja e të vdekurve nga ky virus është problematizuar disa herë. Madje, edhe një kompani që kryente funeralet kishte ndërprerë shërbimet për shkak të mospagesës.