Presidenti i KOK-ut, 𝐈𝐬𝐦𝐞𝐭 𝐊𝐫𝐚𝐬𝐧𝐢𝐪𝐢, ka pritur trajnerin e Kombëtares së Kosovës U17 në volejboll, konkurrenca e femrave, Donald Suxho.
Suxho, që me prejardhje është nga Korça e Shqipërisë, në karrierë njihet për paraqitjet e tij me kombëtaren e SHBA-ve në Kampionate Botërore dhe dy herë edhe në Lojërat Olimpike Athina 2004 dhe Londra 2012. Për disa vite ishte edhe kapiten i SHBA-ve.
Presidenti Krasniqi, duke falënderuar trajnerin Suxho për ardhjen e tij në Kosovë, theksoi se përvoja e tij në garat e nivelit të lartë, do t’i shërbejë ngritjes së cilësisë së volejbollit tonë në përgjithësi, dhe jo vetëm tek U-17.
I pari i lëvizjes olimpike në vend i shprehu mbështetjen e lartë të KOK-ut, për zhvillimin e mëtejmë të volejbollit, por edhe sportit në përgjithësi.
Nga ana e tij, trajneri Suxho, shprehu admirimin e tij për pritjen e bërë, derisa theksoi se do të japë nga vetja gjithë potencialin e tij për të çuar volejbollin tonë në nivele më të larta.
Të dyja palët bashkëbiseduan edhe për Lojërat Olimpike në të cilat Suxho ka lënë gjurmë, por edhe për sukseset e sportisteve tona, me theks të veçantë tri medaljet e arta olimpike të fituara nga xhudistet tona, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova.
Të pranishëm në takim ishin edhe drejtuesit e Federatës së Volejbollit të Kosovës, kryetari Bahri Gjinovci dhe sekretari i përgjithshëm, Valon Nikqi.
#KOK #FederataeVolejbolliteKosoves #donaldsuxho