Dhuna në familjet kosovare sa vijnë e shtohen çdo ditë e më shumë në vendin tonë. Zakonisht viktima janë gratë të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga familjarët e tyre, të cilët pa hezitim i rrahin ato, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur në një familje në fshatin Banjë të Malishevës, ku një 24-vjeçare ka denoncuar vëllain e saj më të madh për dhunë në familje.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 33-vjeçari dyshohet se ka ushtruar dhunë verbale dhe fizike ndaj motrës së tij, duke bërë që ajo të pësojë lëndime trupore.
Si pasojë e kësaj, ajo ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar mëngjesin e sotëm dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.