Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se për dy javë rresht kanë bërë matjen e trafikut, ku sipas matjeve, në kryeqytet hyjnë 140 mijë makina brenda ditës.
Rama thotë së trafiku ka qenë i mbingarkuar për një kohë të gjatë, dhe se tani janë duke bërë zgjidhjen përfundimtare për problemin e trafikut në kryeqytet.
“Trafiku i mbingarkuar ka qenë për një kohë të gjatë problematikë me të cilën është përballur kryeqyteti. Një telash i madh, të cilin nuk mund ta linim pa i dhënë zgjidhje. Fillimisht na duhej të dinim sa makina hyjnë e dalin dhe sa qarkullojnë rrugëve të Prishtinës”, thotë ai.
Tutje, ai ka shkruar se 9 mijë vetura qarkullojnë në unazën e brendshme.
“Kemi vendosur 18 kamera në rrugët dhe udhëkryqet kryesore të qytetit. Dhe për dy javë rresht e kemi kemi matur trafikun, përgjatë 24 orëve. Tani e dimë që 140 mijë makina hyjnë brenda ditës në qytet. Prej tyre, 13 mijë vetëm gjatë orës kulmore, nga të cilat 9 mijë qarkullojnë vetëm në unazën e brendshme”, pohon Rama.
Mes tjerash ai thotë se “për pasojë, pritjet mesatare në semaforë kanë dalë të jenë 298 sekonda për automjet”.
“Pra, mijëra euro humbje ditore në karburant. Dhe dhjetëra e qindra mijëra të tjera në orë pune. Krejt këto i takojnë të shkuarës”, vijon ai.
Kryetari i Prishtinës, ka shtuar tutje se “zgjidhja e problemit të trafikut nga SHAK-u dhe Kryeqyteti bën të mundur që pritja në semafor të zvogëlohet për 95%, shpenzimet e karburantit për 80% dhe që shpejtësia mesatare e lëvizjes të rritet nga 12 km/h sa ishte, në 37 km/h”.
“Pra, një qark i plotë në unazën e brendshme të qytetit, e cila paraprakisht zgjaste 55 minuta, tani kryhet për 12 minuta”.