Nesër në Liban është ditë zie. Lajmi u konfirmua nga kryeministri i Libanit.
Ajo që ndodhi pasditen e sotme në portin e Bejrutit ishte një ngjarje e rëndë, një shpërthim “hiroshimë” që nga raportimet e deritanishme thuhet se ka shkaktuar mbi 2000 të plagosur dhe afro 50 viktima.
Dëmet materiale janë të pallogaritshme. Mendohet se shpërthimi ka ardhur brenda fabrikës së fishekzjarreve, por janë hedhur disa hipoteza, ku nuk përjashtohet edhe një sulm terrorist.
Në Bejrut situata është alarmante dhe është aktivizuar gjendja e jashtëzakonshme. Ushtria dhe kryqi i kuq janë në terren.
Ndërkohë shumë vende kanë reaguar duke shprehur solidaritetin me Bejrutin. Presidenti e Francës, Emanuel Makron thotë se shteti i tij qendron krah Libanit dhe premtoi ndihma për të prekurit nga kjo tragjedi.
Postimi i Makron
Unë shpreh solidaritetin tim vëllazëror me libanezët pas shpërthimit i cili mori kaq shumë viktima dhe shkaktoi dëme këtë mbrëmje në Bejrut. Franca qëndron përkrah Libanit. Gjithmonë. Ndihma dhe burimet franceze po dorëzohen.
Edhe kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson ka shprehur solidaritetin e tij me shtetin e Libanit, duke u shprehur i gatshëm që të ofrojë mbështetje të çfarëdolloj mënyre. Në postimin e tij ai lë të kuptohet se nga kjo tragjedi janë prekur edhe shtetas britanikë që ndodhen në Bejrut.