Nuk dinë shumë se si do të duket e as çfarë do të përfitojnë, por e mirëpresin nismën për krijimin e një shteti për Urdhrin Bektashi në Tiranë. Ndjekës të kësaj lëvizjeje, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, thonë se është koha për një qendër të tillë fetare.
“Është një gjë e mrekullueshme. Nuk e dimë se si do të bëhet, por është një gjë shumë e mirë që bota ta njohë bektashizmin”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zalo Qato, besimtar bektashi në qarkun e Beratit.
Për bektashiun nga Prishtina, Fetah Bakija, është po ashtu një lajm i gëzueshëm – jo vetëm për komunitetin, por edhe për shqiptarët në përgjithësi, thotë ai.
“Kurrë ne shqiptarët nuk kemi pasur një qendër fetare, ndërsa kemi qenë kontributdhënës për të gjitha fetë që ekzistojnë në botë”, thotë Bakija.
Lajmi se Shqipëria “planifikon një shtet të ri mysliman brenda kryeqytetit të saj” mbërriti më 21 shtator në faqet e gazetës prestigjioze amerikane New York Times.
Një ditë më vonë, më 22 shtator, nisma u bë publike nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një fjalimi që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë. Ky është burimi i frymëzimit tonë, për të mbështetur transformimin e qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë, Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”, tha Rama në fjalimin e tij.
Entiteti sovran i Urdhrit Bektashi, sipas Ramës, do të ndërtohej brenda perimetrit të pronës së Kryegjyshatës Botërore në Tiranë.
Çka është Urdhri Bektashi?
Urdhri Bektashi është një rend islamik sufi me origjinë nga Perandoria Osmane. Ky rend i moderuar ka selinë në Shqipëri që nga vitet 1930.
Ai udhëhiqet nga kleriku shqiptar, Edmond Brahimaj, i njohur nga ndjekësit e tij si Baba Mondi.
Shqipëria ka rreth 2.4 milionë banorë dhe rreth 50 për qind e tyre janë myslimanë, ndërsa të tjerët katolikë, ortodoksë dhe të komuniteteve të tjera më të vogla.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, më 2023, numri i bektashinjve është 115.644 – pjesa më e madhe e tyre e përqendruar në rajonin jugor të Shqipërisë. Bektashinj jetojnë edhe në vende të tjera të Ballkanit, përfshirë Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut etj.
Kryegjyshata: Nuk duam pushtet, por vijim të traditës
Selia botërore e bektashinjve në Tiranë, e njohur si Kryegjyshata, tha përmes një deklarate për mediat se e mbështet nismën e Qeverisë që synon ta njohë “Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisës, i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore”.
Duke theksuar se Urdhri Bektashi do të fitonte sovranitet të ngjashëm me Vatikanin – një qytet-shtet në Itali, ku është selia e Kishës Katolike Romake – Kryegjyshata tha se kjo lëvizje do t’i mundësonte Urdhrit Bektashi ta forconte rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm në botë.
“Për besimtarët e Urdhrit Bektashi nëpër botë, ky sovranitet siguron njohjen zyrtare të bashkësisë së tyre fetare dhe siguron mbrojtjen e praktikave të tyre shpirtërore. Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare”, thuhet në deklaratë.
Duke folur për gazetën New York Times, Baba Mondi tha se shteti i ri nuk do të ketë ushtri, roje kufitare apo gjykata, por do të ketë një shërbim të vogël inteligjence, “sepse edhe ne kemi armiq”.
“Ka ardhur koha të vihet në jetë”
Nisma e Ramës, megjithatë, hasi në kritikat e kundërshtarëve politikë.
Në mesin e tyre, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se ajo vjen “për të larguar vëmendjen e qytetarëve nga mashtrimet” dhe “qëndrimet antishqiptare të Qeverisë Rama”.
Kryeministri u përgjigj duke thënë se “kësaj ideje i ka ardhur koha të vihet në jetë”, sepse është “në harmoni të plotë me interesin tonë kombëtar”.
“Të adresosh sot këtë çështje, do të thotë të mbrosh një vlerë të jashtëzakonshme të trashëgimisë historike dhe kulturore të kombit shqiptar, pa llogaritur edhe të tjera të mira të mëdha që do t’i sjellë Shqipërisë e shqiptarisë krijimi i një entiteti të tillë sovran në botën e trazuar ku jetojmë”, shkroi Rama në platformën X.
Aktualisht, në Shqipëri ka shumë pak informacione se si dhe kur do të krijohet ky shtet, apo kush do të marrë shtetësinë prej tij dhe çfarë do të përfitojë.
Përkundër përpjekjeve, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të marrë asnjë informacion nga Kryegjyshata në Tiranë, e as nga Gjyshata e Bektashianëve të Kosovës.
Udhëheqësi i kësaj të fundit, Rrauf Radoniqi, tha se nuk mund ta komentojë nismën, për shkak se ende nuk ka marrë ndonjë letër apo dokument zyrtar nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, përmes së cilës do të sqarohej zyrtarisht kjo nismë.
Komuniteti Mysliman Shqiptar tha se “nisma e tillë mund të jetë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit” dhe siguroi përfaqësimin e të gjithë besimtarëve myslimanë, të cilitdo tarikat, “ashtu siç kemi bërë deri më sot”.
Nga Bashkësia Islame e Kosovës nuk u deklaruan.
Në shkrimin në X, as Rama nuk dha shumë hollësi.
“Nga ideja te jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar. Kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota”, shkroi ai.
I cituar nga New York Times, Rama tha se vetëm disa nga ndihmësit e tij më të afërt e dinë për planin, ndërsa aleatët e NATO-s si Shtetet e Bashkuara nuk janë konsultuar.
REL-i pyeti NATO-n, Departamentin amerikan të Shtetit dhe BE-në për këtë plan të Ramës, por nuk mori përgjigje prej asnjërit institucion.
Si përfundoi Urdhri Bektashi në Shqipëri?
Urdhri Bektashi e ka origjinën në Perandorinë Osmane në shekullin XIII. Bektashinjtë fituan rëndësi politike në shekullin XV, kur rendi dominonte Korpusin e Jeniçerëve – një njësi elitare e këmbësorisë së sulltanit otoman.
Pas themelimit të Republikës Turke, udhëheqësi i saj, Kemal Ataturk, i ndaloi më 1925 institucionet fetare që nuk ishin pjesë e Drejtorisë së Çështjeve Fetare.
Selia e komunitetit bektashi u zhvendos më pas në Shqipëri. Në ueb-faqen zyrtare të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve thuhet se Qeveria e Mbretit Zog mori vendimin për vendosjen e Selisë së Shenjtë Botërore në Tiranë në gusht të vitit 1930.
Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve gjendet në periferi të Tiranës, në zonën e njohur si ish-Poligrafiku.
Lajm i mirë, por s’e dimë se si do të jetë”
Pjesëtarët e komunitetit bektashi me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, pranojnë se nuk kanë shumë informacione për shtetin e ri të paralajmëruar.
Qato, i cili mban postin e sekretarit të Gjyshatës së Qarkut të Beratit në Shqipëri, thotë vetëm se është i lumtur.
“Ne jemi Kryegjyshata Botërore, kështu që përse të mos jemi shtet, të na njohë bota? Nuk e dimë se si do të funksionojë, se si do të bëhet. Nuk jemi në brendësi të gjërave, e kemi parë në televizor dhe na duket një gjë shumë e mirë”, thotë ai.
Bakija, si praktikues i Urdhrit Bektashi në Kosovë, thotë se nuk pret që nga shteti i ri eventual të ketë përfitime që mund të ndryshojnë statusin e tij shoqëror.
“Përfitimin unë e kam njëlloj, si u bë, si nuk u bë, sepse unë i takoj komunitetit bektashian shqiptar, që bën pjesë në komunitetin bektashian botëror. Mua me asgjë nuk më ndryshon statusi im. E vetmja gjë është… që të kemi një qendër botërore ku marrin pjesë, si bektashinj, të gjitha shtetet e botës, të cilat kanë bektashinj në popullatën e tyre”, thotë Bakija.
Çfarë thonë sociologët?
Sociologu dhe studiuesi nga Shqipëria, Zyhdi Dervishi, thotë se nisma për krijimin e një shteti të tillë brenda shtetit të Shqipërisë, në përgjithësi, është pozitive.
“Qendra e bektashizmit botëror është në Tiranë, ka dhe një arsye historike për këtë. Bektashinjtë janë vlerë e madhe për vendin. Mjafton të përmendim vëllezërit Frashëri [rilindasit Naim, Sami, Abdyl]… Nëse kjo nismë funksionon në parametrat logjikë, të zgjuar, humanë, nuk ka asgjë të keqe”, thotë Dervishi për Radion Evropa e Lirë.
“Por, nëse nisin fushata për të kthyer një pjesë të myslimanëve sunitë në bektashinj, nëse ata përpiqen ta mbivlerësojnë veten e tyre në kurriz të pjesës tjetër myslimane, këtu pastaj do të kemi probleme”, shton ai.
Dervishi thekson se do të jetë shumë mirë nëse përmes këtij organizimi do të promovohen vlerat e harmonisë fetare.
Sociologu në Universitetin e Prishtinës, Artan Muhaxhiri, nuk pret që nisma ose realizimi eventual i shtetit të ri të bektashinjve përbrenda shtetit të Shqipërisë, të ndikojë te komuniteti bektashi në Kosovë.
Sipas tij, komunitetet religjioze në Kosovë dhe Shqipëri funksionojnë të ndara, kanë tradita të veçanta dhe specifike dhe kanë pasur zhvillim të ndarë.
Por, megjithatë, shton ai, themelimi eventual i shtetit të ri do të mirëpritej nga komuniteti bektashian i Kosovës.
“Unë jam i bindur që kjo ide i ka zënë në befasi edhe përfaqësuesit e feve tjera, sepse nuk ka pasur ndonjë reagim nga ana e tyre. Por, sa u përket balancimeve delikate religjioze, kjo do të mund të krijonte një efekt të ri. Çdo gjë do të varet nga mënyra se si do të dizajnohet një shtet i tillë, vertikalisht”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Ai thekson se Shqipëria është e njohur për harmoninë ndërfetare dhe për ndarjen e shtetit nga feja, por tërheq vërejtjen edhe për mundësinë e reagimit të komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri.
“Nëse komuniteti bektashi do të veçohet dhe do të ketë një përkrahje të pakrahasueshme më të madhe nga shteti shqiptar, në raport me komunitetet tjera fetare, atëherë, natyrisht, kjo do të ngjallë pakënaqësi. Logjikisht, edhe komunitetet tjera do të kërkonin të njëjtin trajtim nga shteti”, thotë Muhaxhiri.
Në fund, ai shprehet skeptik për realizimin e idesë, duke thënë se ajo “kërkon shumë investime” e “rebalancime të pozitave të komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri.