Ndonëse shtete të shumta botërore u mbyllën, u ndaluan shumë veprimtari shoqërore si pasojë e Covid-19, që shpërtheu në mbarë botën me fillim të këtij vitit, kjo prapë nuk ka zbrapsur kosovarët që të shijojnë pushimet e verës në bregdetin shqiptarë.
Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, në një përgjigje për IndeksOnline ka treguar se gjatë gushtit të këtij viti për në Shqipëri kanë dal 810 mijë e 71 qytetarë.
Krahasuar me vitin e kaluar ka pasur një ngritje të ndejshme, meqë në vitin 2019 gjatë periudhës së njëjtë të vitit kishin kaluar kufirin për në Shqipëri, në Pikë Kufitare në Morinë 686 mijë e 467 persona.
Ndërsa nuk mund të thuhet që interesim i njëjtë ishte edhe nga ana e qytetarëve shqiptarë për të hyrë në Kosovë, kjo pasi që në hyrjet e personave nga 1 gushti deri më 25 gusht të vitit 2020 kishte 275 mijë e 452 qytetarë që kanë hyrë nga Shqipëria në Kosovë, raporton IndeksOnline.
E në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte thuajse përgjysmë më shumë hyrje nga Shqipëria për në Kosovë. Më saktësisht siç njofton PK-ja në gushtin e vitit 2019 kishte 496 mijë e 218 persona që kanë hyrë brenda Kosovës.
Qytetarët kosovarë jo vetëm kësaj radhe por në vazhdimësi mbajnë primatin e turistëve që vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit veror.