Më herët është raportuar se një i ri nga Komuna ka ndërruar jetë si pasojë e një vetaksidenti.
Por disa orë më pas, gjatë së dielës, policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me vdekjen e Ideal Halabakut, një 26-vjeçar nga Pozherani, i cili u gjet pa shenja jete të dielën, më 8 qershor 2025.
Sipas njoftimit, rreth orës 13:15, autoritetet janë njoftuar nga një qytetar për trupin e pajetë të të riut në afërsi të fshatit Bob, në komunën e Kaçanikut.
Policia tha se, fillimisht dyshohej se vdekja kishte ardhur si pasojë e një aksidenti trafiku që mund të ketë ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit në autostradën “Arbën Xhaferi”. Por pas ekzaminimeve fillestare të kryera nga njësitet përkatëse të Trafikut të Autostradës, hetuesit kanë konstatuar se vdekja e tij nuk ka qenë rezultat i një aksidenti trafiku.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e stacionit policor në Kaçanik, si dhe Hetimet Rajonale dhe Forenzika Rajonale, të cilët janë përfshirë në rast pas orës 16:45.
Prokurori për krime të rënda nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është njoftuar dhe ka autorizuar inicimin e rastit si “Hetim mbi vdekjen”.
Policia njofton se do të publikohen më shumë informacione pasi të përfundojnë ekzaminimet e nevojshme nga hetuesit rajonalë.