Presidentja Vjosa Osmani, ka përkujtuar ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jimmy Carter pas vdekjes së tij të dielën në moshën 100 vjeçare.
Osmani ka thënë se Carter i ka treguar botës se lidershipi është përkushtim, dhembshuri dhe besim i palëkundur te njerëzimi.
“Presidenti Carter i tregoi botës se lidershipi është mbi të gjitha përkushtim, dhembshuri dhe besim i palëkundur te njerëzimi. Ai ia kushtoi jetën paqes, barazisë dhe përmirësimit të jetës për të gjithë. Mendimet tona janë me familjen e tij teksa bashkohemi me miqtë tanë amerikanë për të nderuar trashëgiminë e tij”, ka shkruar Osmani në platformën “X”
Për ish -presidentin, Jimmy Carter ngushëllime ka shprehur edhe kryeministri Albin Kurti i cili ka thënë se Carter ka lënë pas vetes një trashëgimi madhështore të shërbimit për të drejtat e njeriut dhe prosperitetin në Shtetet e Bashkuara dhe përtej.
“Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e Presidentit Jimmy Carter dhe popullin amerikan në ditën e ndarjes së tij nga jeta. Një shekull pas fillimeve të tij modeste në një familje punëtore në Plains, Georgia, Presidenti Carter lë pas një trashëgimi madhështore të shërbimit për të drejtat e njeriut dhe prosperitetin në Shtetet e Bashkuara dhe përtej. U prehtë në paqe”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.
Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter ka vdekur, ka ndërruar jetë të dielën në moshën 100 vjeçare. Carter shërbeu si presidenti i 39-të nga viti 1977 deri në vitin 1981.