Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se ka takuar disa liderë në Paris ku po qëndron për një samit ndërkombëtar mbi inteligjencën artificiale.
Ajo tha se atje u takuar me presidentin francez Emmanuel Macron, zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, kryeministrin indian Narendra Modi dhe atë kanadez Justin Trudeau, si dhe liderë të disa prej kompanive më të mëdha botërore si Google, Open AI, Alibaba.
“Në prag të Samitit ndërkombëtar për veprim mbi inteligjencën artificiale (AI) ishim të ftuar në darkën e shtruar nga Presidenti Macron në pallatin Élysée, krahas liderëve të tjerë, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe figura të shquara nga sektori privat”, ka shkruar Osmani.
Ajo tha se momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim.
“Së bashku me Presidentin Macron, Zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, Kryeministrin indian Narendra Modi, atë kanadez Justin Trudeau, e shumë liderë të tjerë botërorë, si dhe liderë të disa prej kompanive më të mëdha botërore si Google, Open AI, Alibaba, etj, kishim mundësi të diskutojmë tema të rëndësishme në interes të qytetarëve që përfaqësojmë”.