Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklaratë para mediave ka folur hapur për kërcënimet me jetë ndaj saj dhe familjes së saj, duke theksuar se vajzat e saj të mitura ruhen nga mbrojtja e afërt për shkak të protokolleve të sigurisë.
Ajo tha se Policia e Kosovës çdo gjashtë muaj kryen vlerësimin e rrezikshmërisë, dhe në çdo rast rezulton se fëmijët e saj janë në rrezik të lartë.
“Nuk besoj që ka prind që do të donte të merrte kërcënime të vazhdueshme me plumb në ballë për vetveten apo për fëmijët e vet. Unë i marr ato vazhdimisht. Nuk besoj që ka prind në Kosovë që do të pranonte që dy vajzat e tij të vogla të kërcënoheshin me dhunim. S’ka prind që do të donte t’i izolonte fëmijët nga loja dhe jeta normale, por ne detyrohemi ta bëjmë këtë sepse kemi dhjetëra kërcënime me jetë”, tha Osmani.
Presidentja u shpreh se shumë nga kërcënimet kanë ardhur nga serbët. Ajo përmendi raste konkrete, si publikimi në Twitter i një fotografie të saj me vajzat, shoqëruar me mesazhin “ju do të vdisni së shpejti”, si dhe fotografi të snajperit të drejtuar ndaj veturës së saj.
Osmani akuzoi sistemin e drejtësisë për mosveprim ndaj kërcënimeve të tilla.
“Është hera e vetme që drejtësia nuk ka ndërmarrë asnjë masë. Duhet të pyesni se në favor të kujt shkon fakti që presidenti i shtetit të mos trajtohet në mënyrë të barabartë nga drejtësia. Për çdo politikan tjetër, qoftë nga pushteti apo opozita, i shohim shumë shpejt të akuzuarit para gjykatës”, deklaroi ajo.
Presidentja komentoi edhe incidentin e së mërkurës, kur një kameraman u arrestua pasi kishte xhiruar pranë shkollës ku vijojnë mësimin vajzat e saj. Ajo theksoi se nuk ka kërkuar kurrë arrestimin e ndonjë gazetari.
“Ishte gënjeshtër që kinse mbrojtja ime e afërt e ka arrestuar gazetarin. Ata nuk arrestojnë, por ishin në kryerje të detyrës. Ju e dini që incizimi i paautorizuar është vepër penale dhe që kodi i etikës për mediat e ndalon xhirimin e fëmijëve nën moshën 18 vjeçare pa lejen e prindërve. Nuk kam bërë as nuk do të bëj ndonjëherë kërkesë për arrestimin e gazetarëve. Nuk kam çfarë të fsheh”, përfundoi Osmani.