Përfaqësuesja e Kosovës ka dhënë edhe një paraqitje tejet të zbehtë.
Në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, përveç tifozëve ‘Dardanët’, mungoi sot edhe Kosova që jemi mësuar ta shohim në ndeshjet e kaluara.
Në një ndeshje të zbehtë, Kosova pësoi humbje me rezultatin 0:1, duke mos dhënë shumë nga loja e saj.
Goli që doli të vendoste takimin ishte goli i Haris Vuckic, i cili gol erdhi në minutën e 21’ të ndeshjes.
Kosova do të rrezikonte dy herë në minutat 41’ dhe 42’, por nuk do të bënte dot diçka më shumë.
Një goditje e Edon Zhegrovës në fillimin e pjesës së dytë u devijua nga Benjamin Kololli, për të humbur rrezikun e saj.
Vlen të përmendet fakti se nga lojtarët më të dalluar ishte Leart Paqarada, i cili sot u aktivizua në krahun e majtë të mbrojtjes.
Me këtë humbje, Kosova mbetet me vetëm një pikë në këtë kampanjë të Ligës së Kombeve, kurse Sllovenia tashmë grumbullon shtatë pikë, aq sa ka edhe Greqia në pozitën e parë.