Mos futjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në agjendën e takimit të së shtunës së Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi e ka cilësuar si një ditë të hidhur për Kosovën dhe për qytetarët e saj.
Krasniqi ka thënë se sot, do të duhej të festonim pranimin në Këshillin e Evropës.
“Në vend se të konkretizonim një sukses që do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë tonë – e për çfarë është punuar gjatë, sot jemi dëshmitarë të humbjes së mbështetjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.
Kreu i PDK-së, ka thënë se “kjo Qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë – e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata”.
“Qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, aty ku zbatohen parimet e drejtësisë së Kartës Evropiane të Drejtave të Njeriut, e cila edhe ashtu është e inkuadruar brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të ishte përfitim i madh për qytetarët dhe shtetin tonë”, ka thënë ai.
Më tej Krasniqi, ka thënë se “pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës në mars të vitit 2022, si PDK kemi insistuar menjëherë që Kosova të nis procedurat për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, duke e dhënë mbështetjen tonë të parezervë në çdo hap të këtij procesi”.
“Fatkeqësisht, sot, dy vite më vonë, kur gjithçka ishte gati pasi kishim siguruar mbështetjen e nevojshme, për shkak të paaftësisë së plotë dhe papërgjegjësisë së skajshme të Qeverisë sonë, edhe kjo mundësi u humb. Akoma më keq, një rast i tillë nuk e dimë se kur do të na paraqitet prapë”.
Tutje Krasniqi tha se “qytetarët e Kosovës sot kanë çdo të drejtë të ndjehen të indinjuar dhe të papërfaqësuar. Ata dhe shteti ynë, kanë merituar më shumë – kanë merituar më mirë”.
“Për PDK-në, rrugëtimi drejt integrimit evropian të shtetit tonë është i pa alternativë. Përkushtimi ynë për drejtësi, demokraci dhe të drejta të plota për çdo qytetar të Kosovës mbetet i palëkundur”.
Prandaj, sipas Krasniqit, “shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heqë Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euro-atlantik – është e domosdoshme. Sot, edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre!”.
Në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave, sipas ueb-faqes zyrtare të KiE-së, nuk u përfshi votimi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.
Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.
Hasler, që është ministre e Jashtme e Lihtenshtajnit, shteti i cili ka pasur udhëheqjen e presidencës së KiE-së, tha pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave më 17 maj se Kosova është përmendur në mbledhje nga shtetet anëtare.
“Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Dhe Komiteti i Ministrave veçse ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, tha ajo.
osova veçse ka kaluar dy faza në procesin e pranimit në këtë organizatë, dhe Komiteti i Ministrave është ai që vendos nëse një shtet do të pranohet ose jo në Këshillin e Evropës.
Pas kalimit të rekomandimit për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, disa shtete vendosën kusht që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg. /Telegrafi/