Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se menaxhimi i parasë publike nga Qeveria Kurti është sikur në kohën e socializmit.
Hoti në Facebook, ka shkruar se në atë sistem, “qeveria ta thyente këmbën, e mandej ta jepte një shkop për tu mbajtur”.
“Për bizneset: I bllokoi projektet kapitale, si rezultat ekonomisë i mungojnë 500 mil euro, e mandej i ndihmoi bizneset me ligjin për indeksim të kontratave për investime kapitale. Rriti faturat e energjisë për bizneseve, e mandej i subvencionoi bizneset për energji”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.
Postimi i plotë i Hotit:
Menaxhimi i parasë publike nga Qeveria Kurti është sikur në kohën e socializmit.
Në atë sistem, “qeveria ta thyente këmbën, e mandej ta jepte një shkop për tu mbajtur”. Kjo e përshkruan në mënyrën më të saktë punën e kësaj qeverie.
Ja pse:
1. Për bizneset: I bllokoi projektet kapitale, si rezultat ekonomisë i mungojnë 500 mil euro, e mandej i ndihmoi bizneset me ligjin për indeksim të kontratave për investime kapitale. Rriti faturat e energjisë për bizneseve, e mandej i subvencionoi bizneset për energji.
2. Për qytetarët: E shtrenjtoi dy herë energjinë, e në anën tjetër i subvencionoi për shpenzimet e energjisë. E dyfishoi tatimin në pronë, e mandej ua fali 100 euro.
Kjo qasje e shpenzimeve publike është socialiste, sepse njerëzit po varfërohen dhe po bëhen të varur nga shteti. Socializëm është kur 41% e buxhetit shpenzohet në subvencione dhe transfere, e vetëm 15% në investime.