Ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës, duke shënuar dështimin e 20-të më radhë.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari kërkoi nga subjektet politike të propozojnë nga një përfaqësues për Komisionin Zgjedhor, por as kësaj radhe nuk kaloi propozimi, transmeton Telegrafi.
Seanca u ndërpre, për të vazhduar pas 48-orësh.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme.
Subjektet politike, PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.
Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.