Edhe në seancën e sotme nuk u arrit konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi nuk u miratua propozimi për krijimin e komisionit zgjedhor, një hap i domosdoshëm për mbajtjen e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ftoi subjektet politike të propozonin anëtarët e tyre për këtë komision, por propozimi nuk kaloi, duke bërë që procesi të dështojë edhe një herë, transmeton Telegrafi.
Kjo shënon dështimin e 26-të për konstituimin e Kuvendit.
Seanca u ndërprerë për të vazhduar më 5 qershor.
Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme.
Subjektet politike, PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë. Ndërsa, LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.
Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur kuorumi apo konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqësen e legjislativit, çka po e mban të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.