Përkundër hyrjes në fuqi të Ligjit të pagave e rritjes së tyre prej këtij muaji për stafin shëndetësor nuk e ka bindur këtë të fundit që të vazhdojnë ta japin kontributin e tyre profesional në Kosovë.
Oda e Mjekëve të Kosovës ka bërë të ditur statistika alarmante të braktisjes së sektorit publik nga mantelbardhët, duke kërkuar kushte më të favorshme në Gjermani
Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu ka bërë të ditur për Front Online se nga fillimi i vitit 2023 hiç më pak se 35 mantelbardhë e kanë braktisur Kosovën. Madje, nga kjo shifër, vetëm për pak ditë të këtij muaji (shkurt) 7 mjekë janë larguar nga Kosova.“31 mjekë gjatë vitit 2023 janë larguar nga puna për të shkuar jashtë vendit. 24 janë larguar në muajin janar, ndërsa 7 për pak ditë të shkurtit”, tha kreu i Odës së Mjekëve.
Kreu i Odës së Mjekëve ditë më parë pati deklaruar se njëra ndër arsyet e ikjes së mjekëve është çështja e pagave.
Ai ka thënë se ka shumë arsyeje që çojnë profesionistët deri në largimin e vendit.
“Arsyet e mjekëve janë të shumta që po largohen nga vendi i punës për jashtë vendit. Vitin e kaluar përmes një sondazhi kanë qenë kushtet e punës, kualiteti i specializimeve dhe paga por këtë vit ka ndryshuar ky sondash dhe është arsyeja e parë është mundësia e punësimit e dyta është çështja e pagave dhe e treta kushtet e punës“, ka thënë Sejdiu për Front Online.Ndryshe, Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së pati deklaruar se është duke e përcjellur me shqetësim të madh ikjen e profesionistëve shëndetësor nga QKUK, e në veçanti të infermierëve.
E fenomeni i largimit të profesionistëve shëndetësorë nga sistemi shëndetësor publik i Kosovës është paraqitur tash e disa vite, ku mjekët dhe infermierët destinacionin kryesor për të ushtruar profesionin e tyre e kishin Gjermaninë.
Qeveria e Kosovës ua ka ngritur pagat prej këtij muaji stafit shëndetësor, mirëpo frika e këtyre të fundit është se pagat u janë rritur, përderisa shtesat tjera si: Kujdestaritë, shujta, stazhi i punës u janë hequr ose zvogëluar, me ç’rast thonë se nëse hiqen shtesat e tilla atëherë të hyrat do t’u mbesin të njëjta.
Në Kosovë, paga e një mjeku specialist sipas Ligjit për Paga arrin në 1260 euro bruto, përderisa në Gjermani të njëjtëve po u ofrohen paga mbi 5000 euro dhe kushte shumë më të favorshme në punë.