Mot i ligë ka përfshirë Evropën Qendrore dhe Lindore, deri tani raportohet se gjashtë persona kanë humbur jetën, pesë prej tyre në Rumani dhe një në Poloni.
Pas situatës së rënduar në Evropën Qendrore dhe Lindore, një reagim e ka bërë edhe njohësi i emergjencave, Tahir Ahmeti, transmeton Telegrafi.
Ahmeti ka kërkuar që institucionet përgjegjëse në Kosovë të ndërmarrin masa me kohë.
“Vitet e fundit është vërejtur një rritje e intensitetit dhe forcës me të cilën po shfaqen fatkeqësitë natyrore, kjo dhe si pasojë e ndryshimeve klimatike. Ndërsa, ditëve të fundit, Evropa Qendrore po përballet me përmbytjet të mëdha vdekjeprurëse.
Parashikohet nga ekspertët, që fatkeqësitë natyrore në Evropë, do të jenë gjithnjë e më të shpeshta dhe më të ashpra, shkak dhe ndryshimet klimatike.
Institucionet përgjegjëse në Kosovë, duhet që me kohë të bëjnë ndërmarrjen e masave, si, identifikimi i fatkeqësive natyrore potenciale tek ne, mjetet e parandalimit, planet e menaxhimit dhe periudha post ndodhjes së fatkeqësisë me qëllim minimizimin e pasojave”, ka pohuar Ahmeti.
Ahmeti thekson se kjo duhet të bëhet me veprime konkrete të koordinuara dhe jo vetëm me hartim politikash dhe strategjish.
Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar mot të vranët e me reshje shiu në javën e fundit të stinës së verës, në periudhën 16-20 shtator.
Sipas parashikimit, të hënën do të ketë mot me diell e vranësira që vende-vende mund të sjellin reshje shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius.
Përmbytjet në Evropë
Shërbimet e urgjencës po forcojnë mbrojtjen nga përmbytjet në Evropën Qendrore dhe Lindore, pasi reshjet e rrëmbyeshme frynë lumenjtë dhe dëmtuan mijëra shtëpi.
Një person ka vdekur nga përmbytjet në Poloni, konfirmoi të dielën kryeministri polak Donald Tusk.
Stuhia Boris rezultoi vdekjeprurëse në Rumani të shtunën, ku pesë persona humbën jetën gjatë përmbytjeve në rajonin juglindor të Galatit.
Në Republikën Çeke, përmbytjet kanë çuar në evakuime dhe 51,000 familje në zonat veriore të vendit janë goditur nga ndërprerjet e energjisë, thotë kompania çeke e energjisë CEZ. Barrierat nga përmbytjet janë rritur në kryeqytet, Pragë.