Që nga muaji gusht i vitit të kaluar, Policia e Kosovës është nën drejtimin e një ushtruesi detyre.
Policia e Kosovës, si një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në vend është ishte pa Drejtor të Përgjithshëm, pas dorëheqjes që kishte bërë ish-drejtori Samedin Mehmeti.
Dorëheqja e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili pati deklaruar se ka pranuar kërkesën për dorëheqje nga Mehmeti. Madje sipas Sveçlës, dorëheqja e Samedin Mehmetit erdhi për arsye personale dhe ndërgjegje personale, pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë.
Pas gjithë kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ka emëruar zyrtarisht drejtorin e ri, emër ky i propozuar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Drejtori i ri i Policisë së Kosovës është Gazmend Hoxha.
Kabineti qeveritar ka miratuar propozim-vendimin për emërimin e Gazmend Hoxhës, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Zv/ministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra ka propozuar para kryeministrit Kurti emrin e Hoxhës, për të parin e Policisë së Kosovës.
“Në konkursin e shpallur kanë aplikuar gjithsej pesë kandidatë, katër prej tyre kanë hyrë në listë të ngushtë dhe janë ftuar për të marrë pjesë në intervistë.Pas vlerësimit profesional, ministrit të Brendshëm i janë rekomanduar tre kandidatë me vlerësimin më të lartë sipas radhës. Gazmend Hoxha, Granit Fetah dhe Bahri Shala. MPB i propozon Qeverisë z.Gazmend Hoxha. Duke pasur parasysh rëndësinë e veprimtarisë së policisë dhe që kjo agjenci e sigurisë zbaton kërkoj miratimin e propozim-vendimit të kandidatit për pozitën e drejtorit të Policisë”,tha Dobra.
Ai ishte vlerësuar më së shumti nga të gjithë kandidatët, edhe nga Ambasada e Britanisë në Kosovë.
Nga intervistat, Ambasada e Britanisë në Kosovë e cila ka vlerësuar procesin, e ka përzgjedhur të vetmin kandidat për t’u zgjedhur Gazmend Hoxhën. Hoxha që aktualisht është Drejtor i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, është vlerësuar me 27.5 pikë nga britanikët, nga 40 në total.
Asnjë kandidat tjetër sipas vlerësimit të britanikëve nuk është i denjë për t’u bërë Drejtor i Policisë së Kosovës.
Gazmend Hoxha është një nga emrat më të lakuar së fundi dhe jo vetëm. Hoxha është pjesë e Policisë së Kosovës prej shumë vitesh, si dhe ka drejtuar një nga drejtoritë më të rëndësishme.
Ndryshe Gazmend Hoxha ka një karrierë të gjatë në Policinë e Kosovës, ai punën në Policinë e Kosovës e ka nisur në vitin 2000, ndërsa dy vjet më vonë kaloi në gradën rreshter në stacionin Jugu të kryeqytetit.
Në vitin 2009, Hoxha kishte qenë edhe Drejtor i Njësive Speciale, ndërsa në vitin 2010-2011 ai është emëruar Drejtor Kundër Krimit të Organizuar.
Kurse në vitin 2012, Hoxha është emëruar Drejtor i Policës në Ferizaj ndërsa aktualisht ai drejton Departamentin për Operacione në Policinë e Kosovës.
Duhet përkujtuar që në kuadër të Policisë së Kosovës pati vazhdimisht ndryshime, largime e shpesh herë edhe dorëheqje.
Para Samedin Mehmetit, në krye të Policisë së Kosovës ishte Rashit Qalaj, i cili më pas ndërroi krejtësisht profesion duke kaluar kështu në parti politike, atë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Samedin Mehmeti ishte emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës më 13 janar 2021. Mehmeti kishte qenë ushtrues i detyrës së drejtori të Policisë, pas shkarkimit të Qalajt.
Mehmeti u emërua Drejtor i Policisë së Kosovës gjatë kohës sa vendi po drejtohej nga kryeministri Avdullah Hoti, e ministër i Punëve të Brendshme ishte Ekrem Mustafa.
Mehmeti kishte nisur punën fillimisht si polic patrullues në stacionin policor “Veriu”, më pas si hetues i vrasjeve në regjionin e Prishtinës.
Në nivelin e menaxhimit operacional, me gradën Toger ka shërbyer në pozitën e zëvendëskomandantit në stacionin policor “Jugu” dhe me gradën Kapiten ka shërbyer Komandant i stacionit policor “Veriu” në Prishtinë.
Ndërsa deri tani Policia e Kosovës u drejtua nga ushtruesi i detyrës, Fehmi Hoti.
Kandidatët e tjerë për drejtor të Policisë së Kosovës kanë qenë: Bahri Shala, Fatos Haziri dhe Granit Fetahu./Lajmi.net/