Policia e Kosovës ka dalur me raport për ato që ndodhën para, gjatë dhe pas ndeshjes kualifikuese mes Kosovës dhe Izraelit.
Policia vlerësoi aspektin e sigurisë, duke theksuar se ajo kaloi e qetë dhe pa ndonjë incident, shkruan lajmi.net.
Një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ishin të angazhuar për të mbajtur rendin dhe qetësinë e kësaj sfide, e cila njëherit ishte e para e Izraelit pasi nisi konflikti.
Raporti i Policisë së Kosovës:
Ndeshja sportive, e luajtur mbrëmë, në mes të kombëtares së Kosovës dhe Izraelit për kualifikime në EURO2024, vlerësuar në aspektin e sigurisë, ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident që ka cenuar sigurinë publike dhe mbarëvajtjen e ndeshjes sportive.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me FFK-në dhe akterët relevantë, ashtu siç e ka bërë të ditur me kohë, ka bërë planifikimet e saja operacionale për menaxhimin dhe mbarëvajtjen sa më të mirë të kësaj ndeshje sportive, duke u kujdesur për ofrimin e sigurisë që nga ardhja e kombëtares së Izraelit në Republikën e Kosovës e deri në kthimin e saj për në Izrael.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët, mediat dhe të gjitha institucionet për bashkëpunimin korrekt me Policinë e Kosovës, të cilët janë pjesë e meritës që ky event sportiv të kalojë i qetë dhe pa incidente.