Policia e Kosovës ka mohuar raportimet se Njësisë Speciale i është ndaluar hyrja në Leposaviq nga KFOR-i të hënën.
I pyetur lidhur me raportimet e mediave, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha se të gjitha njësitet policore “janë duke kryer detyrat e tyre në terren”.
“I/E nderuar, Referuar interesimit tuaj ju informojmë se, të gjitha njësitet policore të planifikuara dhe caktuara me detyrë zyrtare, janë duke kryer detyrat e tyre në terren”, tha Kelani.
Portali Indeksonline raportoi sot se trupat e KFOR-it kanë vendosur një post-bllok në hyrje të Leposaviqit dhe aty kanë ndaluar hyrjen në qytet të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Bazuar në raportimin e Indeksonline, KFOR-i ka vendosur një bllokadë tek baza ushtarake e KFOR-it amerikan, “Nothing Hill”, e cila ndodhet në hyrje të Leposaviqit.
“Ushtarët e KFOR-it po pyesin të gjitha njësitë e Policisë së Kosovës për rolin e tyre por që të njëjtat deri më tani nuk po i lejon të futen në Leposaviq dhe në pikat kufitare”, shkruan sot Indeksonline.