Ambasadori amerikan në vendin tonë, Jeffrey Hovenier, kishte ndjekur nga afër përballjen e Kosovës me Greqinë në Nations League, përkrah Presidentit të FFK-së, Agim Ademi. Me këtë rast, Ademi i ka dhuruar fanellen e Kombëtares së Kosovës, Hovenierit.
Ademi e vlerëson mbështetjen e tij:
”Është nder ta kesh mbështetjen e ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier.
Ai është një fans i madh i Kombëtares së Kosovës, prandaj në ndeshjen kundër Greqisë e kisha kënaqësinë që t’ia dhuroja fanellën dardane.
E mbrëmë fati nuk ishte me ne dhe nuk e morëm rezultatin që e dëshiruam, por futbolli është i tillë dhe jo rrallë nuk fiton ai që e kërkon atë me ngulm.
Sidoqoftë, djemtë tanë kanë nevojë për t’i qëndruar afër dhe për t’i përkrahur maksimalisht. Ata po mundohen ta japin më të mirën e tyre dhe besojmë se në ndeshjet e ardhshme do të marrin rezultatet që i presim të gjithë.
Falënderoj edhe ambasadorët e tjerë të Britanisë së Madhe, të Zvicrës, të BE-së dhe të Greqisë që krahas institucioneve tona ishin në ndeshje dhe janë përkrahës të Dardanëve.
E një falënderim edhe për të gjithë tifozët, të cilët krijuan atmosferë madhështore në ndeshjen e mbrëmshme, e të cilët në fund përkundër rezultatit zhgënjyes i duartrokitën Dardanët tanë.
FORCA KOSOVË! ⚽️ 🇽🇰 🤝 🇺🇲“, ka shkruar në facebok Ademi.