Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka përgëzuar FC Suhareka për suksesin e arritur në këtë edicion, duke u shpallur kampion i Raiffeisen Ligës së Parë – Grupi A.
Ky sukses i këtij klubi vjen qysh në edicionin e tij të parë të themelimit, pasi Suhareka u formua në verën e kaluar dhe pas problemeve të klubit prizrenas A&N arriti të fuzionohet dhe të bëjë gara në rangun e dytë të futbollit kosovar. Organizimi i mirë bëri që ky klub i ri të arrijë të ngjitet menjëherë në elitën e futbollit kosovar.
“Urime FC Suhareka për triumfin e madh! Titulli i kampionit në Raiffeisen Ligën e Parë dhe inkuadrimi në AlbiMall Superligë është një sukses i jashtëzakonshëm për klubin tuaj.
Përkushtimi dhe puna e palodhur e drejtuesve, stafit të trajnerëve dhe futbollistëve tuaj është një shembull frymëzues për të gjithë. Uroj që në edicionin e ardhshëm të vazhdoni të shkëlqeni dhe t’i sjellni vlera shtesë AlbiMall Superligës.
Mirë se vjen në elitën e futbollit kosovar! Urime Suharekë!”, ka shkruar Ademi në urimin e tij në rrjetet sociale.