Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë rrëfimin e popullit të Kosovës, nga çlirimi e deri më sot, së bashku me mikun dhe aleatin e madh të vendit tonë, Presidentin Bill Clinton, në një ngjarje të veçantë të mbajtur në New York.
Në prani të një audience të jashtëzakonshme ndërkombëtare, Presidentja Osmani foli për rrugëtimin historik të Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe forcimit të institucioneve demokratike, duke theksuar mbështetjen e çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çdo hap të këtij procesi.
“E nderuar që rrëfimin e Kosovës, nga çlirimi e deri më sot, ta ndaj së bashku me Presidentin Clinton në New York, në prani të një audience të jashtëzakonshme nga e gjithë bota. Mirënjohje e përjetshme për aleatin tonë historik, Shtetet e Bashkuara”, – u shpreh Presidentja Osmani.
Në këtë ngjarje, u vlerësua kontributi i pazëvendësueshëm i Presidentit Clinton dhe i SHBA-ve në çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit të saj të pavarur. Presidentja Osmani theksoi se miqësia me Shtetet e Bashkuara mbetet themeli i sigurisë dhe zhvillimit të Kosovës.