Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka tërhequr kërkesën që kishte dorëzuar më 22 korrik në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me seancën konstituive të Kuvendit. Vendimi i saj vjen pas caktimit të gjyqtarit Radomir Llaban si raportues në këtë rast – një veprim që presidentja e cilëson si të papranueshëm.
Sipas Osmanit, gjyqtari Llaban është identifikuar nga institucionet e sigurisë së Kosovës në raportet e viteve 2018, 2021 dhe 2024 si person që përbën rrezik për sigurinë kombëtare dhe që është përfshirë në aktivitete kundër rendit kushtetues të vendit.
“Tërheqja e kësaj kërkese është e domosdoshme. Është absurde të pritet që rendi ynë kushtetues të mbrohet nga persona që, sipas institucioneve të sigurisë, e rrezikojnë atë,” tha Osmani në një deklaratë për media.
Ajo sqaroi gjithashtu se Llaban është emëruar si gjyqtar i Kushtetueses në vitin 2018 nga institucionet e atëhershme dhe jo nga Presidenca aktuale. Osmani nënvizoi se shkarkimi i një gjyqtari të kësaj gjykate kërkon një vendim me dy të tretat e anëtarëve të saj, çka e bën të pamundur ndërhyrjen nga ana e Presidencës pa një iniciativë të brendshme nga vetë gjykata.
Presidentja e Kosovës e ka cilësuar caktimin e Llabanit si gjyqtar raportues si shqetësues dhe të dëmshëm për besimin në institucionet kushtetuese të vendit.
Tensionet institucionale në Kosovë vijnë në një moment të ndjeshëm politik, ndërsa vendi përballet me sfida të brendshme dhe ndërkombëtare për funksionimin e rendit demokratik dhe shtetit të së drejtës.