Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën aktuale politike në vend, duke e cilësuar atë si më të thellë sesa perceptimi publik.
Në një intervistë për Radio Gorazdevac, të publikuar të mërkurën, diplomati britanik tha se kriza aktuale në Kosovë nuk është thjesht një çështje ligjore apo kushtetuese, por para së gjithash një sfidë politike që kërkon vullnet dhe kompromis nga liderët vendorë.
“Sipas mendimit tim, ende jemi në një fazë ku pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, në fund të fundit, kjo është një çështje që duhet të zgjidhet përmes kompromisit politik ndërmjet partive. Kjo është në thelb zemra e problemit. Kushtetuta dhe ligjet përbëjnë kuadrin, por është detyrë e partive që të bien dakord për rrugën përpara,” deklaroi ambasadori.
Ai theksoi rëndësinë e momentit aktual dhe paralajmëroi se mosmarrëveshjet politike mund të ndikojnë negativisht në funksionimin e institucioneve dhe në stabilitetin e vendit.
Zgjedhjet lokale, një mundësi për përfshirje më të gjerë
Ambasadori Hargreaves komentoi edhe për zgjedhjet lokale të pritshme në vjeshtë, duke i cilësuar ato si një mundësi të rëndësishme për të gjitha komunitetet, në veçanti për komunitetin serb, që të angazhohen në proceset demokratike.
“Këto zgjedhje përbëjnë një hap pozitiv për përfshirjen e qytetarëve serbë në jetën institucionale të vendit. I inkurajoj ata të marrin pjesë dhe të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë demokratike,” tha ai për median në gjuhën serbe.
Deklaratat e ambasadorit vijnë në një kohë tensionesh të shtuar politike në Kosovë dhe në pritje të një vendimi të rëndësishëm nga Gjykata Kushtetuese që mund të përcaktojë drejtimin e zhvillimeve të ardhshme.