Tre fëmijë humbën jetën të shtunën në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar.
Lidhur me këtë Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e këtij rasti.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, në lidhje me ngjarjen tragjike që ka ndodhur në fshatin Jabllanicë, Komuna e Gjakovës, informon publikun se dje në mesnatë nga Policia e Kosovës, jemi njoftuar se është shembur një objekt i pabanuar, duke rezultuar me humbjen e jetës së tre (3) personave të mitur, të cilët fatkeqësisht ndodheshin brenda tij në momentin e shembjes”, thuhet në njoftim.
Prokuroria shton se në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar, të gjitha njësit përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe ekipi mjekësor që ka konfirmuar vdekjen e fëmijëve.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe është inicuar rast “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Prokurori i Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti”, thuhet në njoftim.