Prokuroria Speciale e Kosovës përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur arsyen se pse e kanë ndërruar masën e sigurisë për ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiq.
Nga Prokuroria Speciale kanë thënë se meqë Pantiq s’ka mundur të dërgohet në paraburgim siç kërkohet me ligj dhe meqë EULEX ka konstatuar gjendjen jo të mirë të Pantiq, atëherë bazuar në aspektin shëndetësor dhe human kanë propozuar që Pantiq të lirohet në arrest shtëpiak.
Ky reagim i Prokurorisë Speciale ka ardhur pas qëndrimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media ku tha se është kureshtar ta mësojë se kush është Prokurori që ka propozuar ndryshimin e masës dhe kush është gjyqtari që e ka aprovuar.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se në bazë të kërkesës së kësaj prokurorie, më 12.12.2022, Gjykata Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit Dejan Pantiq, ka caktuar masën e paraburgimit për veprën penale “Sulm terrorist”.
Edhe pse kundër të pandehurit ka ekzistuar vendim për caktim të paraburgimit, për shkak të rrethanave tashmë të njohura, i njëjti asnjëherë nuk u dërgua në paraburgim ashtu siç kërkohet me ligj.
Pas vizitave të ekipeve mjekësore të Eulex-it, të cilët kanë konstatuar gjendje jo të mirë shëndetësore për të pandehurin, ata kanë rekomanduar trajtim në një qendër spitalore, megjithatë as ky rekomandim nuk u realizua.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasiqë i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzoj të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit.