Pas shtatë vitesh në paraburgim, të enjten është liruar Naser Pajazitaj, dyshuari i Prokurorisë së Shtetit për vrasjen e kushërirës së tij Donjeta Pajazitajt në vitin 2015.
Donjeta Pajzitaj ishte vrarë mizorisht në bjeshkët e Strellcit në Komunën e Deçanit.
Katë vjet më parë, në një seancë gjyqësore në rigjykimin ndaj të pandehurit Naser Pajazitaj në Gjykatën e Pejës, ishte rrëfyer gjendja në të cilën ishte gjetur trupi i viktimës pas ngjarjes së rëndë.
Autopsinë e Donjeta Pajazitajt e kishte kryer mjeku Naim Ukaj.
Ai, i kishte thënë gjykatës më 2019 se pjesa kockore e kokës së Donjeta Pajazitajt ka qenë e ndarë.
“Autopsia e tani të ndjerës Donjeta Pajazitaj, pjesa kockore e kokës ka qenë e ndarë, kanë munguar organet e gjoksit do të thotë pjesa kockore e gjoksit ka munguar, janë konstatuar edhe gjurmë të kafshimeve nga shpezët e ndryshme të cilat na kanë vështirësuar gjetjen e provave ligjore me të cilat do të konstatoheshin detajet më të imëta”, kishte deklaruar mjeku Ukaj.
“Vdekja ka ardhur si rrjedhojë e fashitjes së trurit, i dy plagëve në kokë tejshkuese të shkaktuara nga arma e zjarrit”, kishte vijuar Ukaj.
Ai kishte treguar se kanë kaluar deri në 30 ditë derisa trupi kishte mbërritur në autopsi.
Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Kreshnik Radoniqi, për mjekun mjeko-ligjor, se a është konstatuar ndonjë dhunë në trupin e të ndjerës, mjeku Naim Ukaj kishte thënë: “Mungesa e indeve të buta na ka pamundësuar nëse ka pasur dhunë seksuale ose fizike, por nuk mund të përjashtohet një mundësi e tillë”.
Sipas mjekut Ukaj, pozita e qitësit kishte qenë lartë pozitës së viktimës, do të thotë pozita e viktimës ka qenë poshtë.
“Distanca e qitjes, forma e plagës hyrëse dhe dëmtimet në pjesën kockore të kafkës na japin fakte të besojmë se distanca e qitjes ka qenë më afër se një metër”, kishte thënë ai.
Naser Pajazitaj, është gjykuar dy herë si i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij Donjeta Pajazitaj, akuza këto për të cilat është liruar sot me vendim të Gjykatës Supreme.