Gazetarja nga Shqipëria, Esmeralda Keta, ka publikuar sot në mëngjes pamje të trishta nga bregdeti i Potamit, ku dje, një polic vrau një shtatëvjeçare me skaf.
Keta, e cila ishte e pranishme derisa pushonte bashkë me fëmijët afër vendit ku ndodhi tragjedia e familjes Avdia që kishte shkuar në Shqipëri një ditë më parë me pushime nga Kanadaja, postoi disa foto që tregojnë plazhin pa pushues, ku është vënë një tufë me lule dhe ku ende kanë mbetur sendet e familjes së përgjakur: një kukull e vajzës, kapelja dhe rrobat e prindërve ende mbi shezlong, transmeton Klankosova.tv.
”Mëngjes i trishtë sot në Potam… Një kukull që pret vajzën e vogël të luajë me të, një lule për lulejetën e re që nuk e mbrojtëm dot, rrobat e familjarëve ende mbi shezlonë dhe plazhi krejtësisht i braktisur… Ikën të gjithë, ikën të shpëtojnë fëmijët e tyre, sepse nuk ditëm t’u krijojmë një vend të sigurtë. Sot të gjithë jemi fajtorë, e pafajshmja u bë engjëll”, shkruan ajo mes tjerash.