Qeveria e Republikës së Kosovë, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e rregull, të 30-tën me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar pesë projektligje, gjashtë vendime, një koncept dokument si dhe Rishikimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2021-2023.
Pesë projektligjet që kanë marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme janë:
Projektligji për të drejtën ndërkombëtare private, i cili krijon rregullat për përcaktimin e të drejtës ndërkombëtare private. Projektligji përcakton edhe kompetencën e gjykatave dhe autoriteteve tjera të Republikës së Kosovës sa i përket te drejtës ndërkombëtare private;
Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtarë në çështjet penale, i cili forcon edhe më tej bashkëpunimin juridik ndërkombëtar dhe eviton mangësitë e hasura në praktikën e zbatimit të Ligjit në fjalë;
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për transferimin e personave të dënuar, i cili ratifikon marrëveshjen e cila do të përmirësojë të gjitha mangësitë , zbrazëtirat e evidentuara në fushën e transferimit të personave të dënuar nga të dyja vendet;
Projektligji për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Realizimin e projektit për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Gjilan. Projektligji ratifikon kontratën financiare ndërmjet republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për këtë projekt në Komunën e Gjilanit.
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për likuiditet të urgjencës sa infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i cili do të ratifikojë dhe do ta bëjë të zbatueshme këtë marrëveshje.
Dy vendime të Qeverisë për ndarje të mjeteve financiare për të siguruar realizmin e projekteve të rëndësishme të funksionimit institucional në Republikën e Kosovës janë miratuar në mbledhjen e sotme. 111,801.00 euro janë ndarë për realizimin projektit “Softueri për menaxhimin e proceseve të auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, dhe 230 mijë euro janë ndarë për sigurimin e procesit të deratizimit, dezinfektimit dhe dezinsektimit të ndërtesave qeveritare që menaxhohen nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës janë miratuar dy vendime. Vendimi i parë ka të bëjë me krijimin e Grupit punues ndërinstitucional për avancimin e proceseve integruese euroatlantike të Republikës së Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior – NATO. Grupi do të ketë këtë përbërje:
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kryesuese
Ministri i Mbrojtjes, anëtar
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar
Përfaqësues i Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, anëtar/e
Përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, anëtar/e
Përfaqësuesi diplomatik i Republikës së Kosovës për NATO në Bruksel, anëtar.
Vendimi tjetër i propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme është vendimi për afirmimin e angazhimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për promovimin dhe forcimin e kujtesës ndaj Holokaustit dhe luftës kundër antisemitizmit në të gjitha format e tij. Në këtë funksion, Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga autoritetet përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm proceduralë dhe ligjorë për njohjen e shprehjeve dhe sjelljeve antisemitike.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik, të cilat preken nga realizimi i projektit “Themelimi i qendrës përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët “Bllaca 1999” në Hanin e Elezit.
Edhe vendimi për kriteret e financimit të projekteve të komunave të Kosovës për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, është miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar edhe vendimi për aprovimin e Koncept dokumentit për skemën e ndihmës sociale në Republikën e Kosovës. Përmes këtij Koncept dokumenti synohet reformimi i skemës së ndihmës sociale që duhet të qojë në zbutjen e varfërisë dhe zgjerimin e përfituesve nga familjet e varfra.
Qeveria ka diskutuar dhe në fund ka aprovuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Rishikuar për vitet 2021-2023. Rishikimi i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve është bërë me qëllim të reflektimit nga situata e krijuar nga pandemia e COVID-19 dhe ndikimeve që kjo situatë ka pasur ne treguesit kryesor të aktiviteteve ekonomike në vend. Në dokumentin e rishikuar thuhet se treguesit kryesorë ekonomikë gjatë muajve të fundit të viti 2020 ndryshojnë dukshëm në krahasim me periudhën gjatë përgatitjes së Kornizës aktuale të shpenzimeve afatmesme.