Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot pret në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Zyra e presidencës së Kosovës njofton se takimi mes Osmanit dhe Ramës, fillon në ora 16:00.
Ndryshe dje kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, refuzoi t’u përgjigjet publikisht deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pasi tha se takim mes tyre mund të ketë vetëm pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
Gjatë një deklarate për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Rama tha se për këtë çështje do të flasë kur të jetë në Prishtinë.
“Nuk kam lidhje me këtë, jam këtu vetëm për këtë vendimin e studentëve. Sa i përket vajtjes në Prishtinë dhe të gjithë turit do të flas kur të jetë koha për të folur që është nesër në Prishtinë”, tha Rama.
Kurse kryemisntri i Kosovës, Albin Kurti, dje deklaroi se nëse nuk mbahet mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, nuk do të ketë takime të tjera mes tyre.
Kurti ka thënë se Ramën do ta takoj vetëm nëse mbahet mbledhja e dy qeverive, për takime tjera jo.
“Unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, por jo takime të tjera”, tha ai.
Kurti ka thënë se i ka propozuar kryeministrit Rama që të mbajnë mbledhjen e dy qeverive që sipas Kurtit “u anulua pa arsye”.
“Unë jam në kontakt me Edi Ramën. E di që do të vij për vizitë në Prishtinë, në kuadër të turit Ballkanik. Është thënë që ky tur ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës së Procesit të Berlinit që mbahet në muajin tetor. Miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Edi Rama që pasi do të vije e do të qëndroj dy ditë e një natë në Prishtinë, ta mbajmë mbledhjen e dy qeverive që u anulua pa arsye”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se kanë qenë në plan të nënshkruhen 13 marrëveshje, të cilat tash kanë ngelur në sirtarë.
“Unë i kam propozuar kryeministrit Rama që ta mbajmë mbledhjen e përbashkët ti nënshkruajmë ato marrëveshje që janë në sirtar. Andaj për mua është e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Nëse Edi Rama insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem tek qëndrimi që i kam thënë se për takime te ne të dyve ne kemi kontakt të drejtpërdrejtë ne takohemi shumë-shpesh. Nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri por edhe demokracia dhe paqja në Ballkan pse nuk takohen kryeministri i Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Kurti.
Më 16 tetor 2023, Tirana zyrtare do të presë samitin e Procesit të Berlinit. Por qeveria shqiptare ka nisur përgatitjet që tani. Në këtë kuadër, kryeministri Edi Rama, do të nisë të enjten një vizitë në rajon e cila fillon nga Shkupi.
Rama do të qëndrojë sot në Kosovë, ndërsa të premten do të vijojë takimet në Podgoricë, Beograd dhe Sarajevë.