Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur zyrtarisht pagesat në euro përmes zonës SEPA, ndërsa Kosova nuk është pjesë e saj.
SEPA, që aktualisht përfshin 41 vende, duke përfshirë shtetet anëtare të BE-së, disa vende nordike dhe Mbretërinë e Bashkuar, lejon transfere bankare në euro më shpejtë, me standarde të unifikuara dhe kosto dukshëm më të ulëta krahasuar me sistemet ndërkombëtare tradicionale.
Por, Kosova ende nuk është pjesë e SEPA-s.
E lidhur me këtë ka shpjeguar eksperti ligjor, Urim Vata.
Vata në një postim në Facebook shkruan se Banka Qendrore e Kosovës ka nxjerr rregulloret përkatëse dhe ka para-aplikuar në SEPA, gjersa thekson se disa ligje janë në vlerësim të kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:
Lidhur me reagimet për mos anëtarësimin e Kosovës në SEPA
Këto ditë pasi që Shqipëria dhe Mali i Zi u anëtarësuan në SEPA (Single Euro Payments Area) u ngritën shume kritika politike për mos anëtarësimin e Kosovës.
Duke qenë se jam i angazhuar në këtë projekt si ekspert ligjor lokal (në kuadër të Shoqëria e Avokatëve “Vokshi & Lata” ) për të ndihmuar Komisionin Evropian për të vlerësuar nëse Kosova ka harmonizuar legjislacionin si parakusht për anëtarësim ne SEPA ju njoftoj se Kosova ka filluar procesin e anëtarësimit.
Banka Qendrore e Kosovës ka nxjerr rregulloret përkatëse dhe ka para-aplikuar në SEPA.
Vlerësimi i këtyre rregulloreve nëse janë të harmonizuara me EU-acquis është në proces ndërsa sfidë mbetet fakti se Ligji 08/L-304 për Bankat, Ligji 08/L-328 për Shërbimet e Pagesave dhe Ligji 08/L-333 për plotësimin/ndryshimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit që rregullojnë këtë fushë janë në vlerësim të kushtetutshmërisë pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Pritja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është parakusht për të vazhduar ky proces mëtej.
Për ata që nuk janë të informuar, anëtarësimi në SEPA do të lehtësojë pagesat ndërkombëtare, duke i bërë ato më të shpejta, më të lira dhe më të thjeshta për qytetarët dhe bizneset e Kosovës.
Kursimi vjetor për bizneset dhe qytetarët pritet të jetë rreth 55 milionë euro nga tarifat për transferet ndërkombëtare, sipas një vlerësimi nga German Economic Team (GET).