Pas zhvillimit të ndeshjeve miqësore të Shqipërisë, trajneri e analisti i futbollit, Redi Jupi, ka përpiluar formacionin e tij ideal për kombëtaren kuqezi në Kampionatin Evropian. Në këtë formacion, Jupi ka lënë jashtë të gjithë futbollistët nga Kosova.
I njohur për deklaratat e tij nxitëse e kontroverse, Jupi nuk ka hezituar të lë jashtë formacionit ‘të përhershmit’ e Shqipërisë, Etrit Berisha e Ylber Ramdani e Ardian Ismajli.
Për Jupin, vend në formacion nuk ka as sulmuesi Mirlind Daku, ndërsa befasoi me vendimin e tij për lënien jashtë të Jasir Asanit. Kryesisht formacioni i tij është i përbërë nga futbollistët që kanë lindur në Shqipëri.
Në një intervistë për Panoramën, Jupi ka deklaruar se formacioni i tij është më i miri dhe se këta janë futbollistët më të mirë që ka Shqipëria.
“Mendoj Strakosha në portë. Nga e djathta Balliu, në qendër Gjimshiti me Kumbullën dhe nga e majta Hysaj. Në mesfushë: Përpara mbrojtjes Mitaj, qendër e djathtë Bajrami, qendër e majtë Asllani dhe pak më përpara lojtarët sulmues. Nga e majta Muçi, në qendër Broja dhe në krahun e djathtë Uzuni, i cili vërtet nuk e ka pozicion që po luan tani, por është një pozicion që ai di ta bëjë shumë mirë dhe për ato që na kërkohen ne, që duhet të mbrojmë. Mendoj se Broja është një garanci dhe lojtari mbi të cilin duhet të ndërtohet skuadra jonë”, ka deklaruar Jupi.