Sot Kosova ka shënuar rekord të rasteve të reja me koronavirus. Nga 2056 testime – 963 raste kanë rezultuar pozitive.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.056 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 963 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 13 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 3 raste (88, 67, 64 vjeç), Gjakovë 2 raste (85, 83 vjeç), Pejë 2 raste (81, 62 vjeç), Prizren 2 raste (74, 70 vjeç), Kamenicë 1 rast (90 vjeç), Podujevë 1 rast (69 vjeç), Suharekë 1 rast (60 vjeç), Viti 1 rast (66 vjeç).”, qartësohet në komunikatën e IKSHPK-së.
Numri total i rasteve pozitive është 27.851 raste nga 115.794 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 798 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 177 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 16.862 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.191.
E pikërisht në ditën e rekordit të zi, në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-Covid të cilat kanë ndarë qytetet e Kosovës në tri kategori, ato me rrezikshmëri të lartë, të mesme dhe të ulët.
Të tri këto kategori të qyteteve përballen me masat e reja anti-Covid, por dallimi është tek qytetet me zonë të kuqe ku përveç se pas orës 19:00 ndalohen të gjitha aktivitetet ekonomike, ka edhe orë policore deri në ora 05:00 të mëngjesit.
Situata e rënduar është edhe në Klinikat COVID të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe Spitalet Rajonale.
Sipas të dhënave të fundit, në Klinikën Infektive në QKUK, klinikat e tjera COVID dhe në Spitalet Rajonale janë të shtrirë 700 pacientë me koronavirus.
Nga këta pacientë 13 prej tyre janë në respiratorë, 489 janë në asistencë të oksigjenit.
Ndërkohë sot nga ora 18:00 do të hyjnë në fuqi masat e reja anti-Covid19 të cilat gjithashtu parashohin edhe kufizimin e lëvizjes në zonat e kuqe.