Rreth 200 tifozë të Slavia Prahës do të zbarkojnë në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë të enjten në mëngjes, në ditën e ndeshjes kundër Ballkanit në Ligën e Konferencës.
Ky numër i tifozëve do të udhëtojë me aeroplan në drejtim të Kosovës për ndeshjen “jetike” kundër kampionit të vendit tonë për fatin e kalimit të grupit.
Mediumi çek “prazksky.denik.cz” i ka kushtuar artikull të veçantë udhëtimit të tifozerisë së Slavias drejt Kosovës.
Ata kanë shkruar se 189 tifozë të ekipit çek do të zbarkojnë mëngjesin e të enjtes në Prishtinë, ndërsa gjatë ditës do të shëtiten rrugëve të kryeqendrës kosovare, për t’u rikthyer në Pragë menjëherë pas ndeshjes.
“Avioni, i cili mund të akomodojë deri në 189 pasagjerë, do të niset nga aeroporti i Pragës mëngjesin e së enjtes dhe do të kthehet në kryeqytetin tonë menjëherë pas ndeshjes”.
Por, në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk do të jenë vetëm 189 tifozë çekë. Numri i tyre pritet të rritet edhe më shumë, për faktin se klubi ka nxjerr në shitje mbi 600 bileta.
Ballkani – Slavia Praha do të përballen në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 21:00 në kuadër të rrethit të pestë të fazës së grupeve.
“Portokallezinjtë” e Ilir Dajës kanë katër pikë në pozitën e fundit, po aq sa Slavia që ka goldallim më të mirë.
Lider është Sivasspori me shtatë pikë, njëjtë sikurse Cluji.