Çështja e zgjedhjes së Presidentit të vendit, është kthyer përsëri në temë diskutimi.
Kjo për shkak të publikimit të propozim aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj presidentit aktual të vendit, Hashim Thaçi.
Megjithatë, i pari i LDK-së, Isa Mustafa, po thotë se kandidati për president nuk është diskutuar as me partitë e koalicionit e as me ato të opozitës.
“Në LDK nuk është biseduar për kandidatin për President të Kosovës. Nuk e kemi biseduar as me partitë e koalicionit qeverisës e as me ato të opozitës”, ka thënë Mustafa.
I pyetur se kush duhet të bëhet president i vendit, nëse ndaj presidentit aktual, Hashim Thaçi, konfirmohet aktakuza nga Gjykata Speciale, Mustafa ka thënë se nëse imponohet situata kushtetuese për zgjedhje të presidentit, kjo çështje do të trajtohet në mënyrë komplekse.
“Aktualisht Kosova e ka presidentin me mandat kushtetues deri në prill të vitit të ardhshëm. Në momentin që imponohet situata kushtetuese për zgjedhje të presidentit, kjo çështje do të trajtohet në mënyrë komplekse, sepse është komplekse”, ka deklaruar Mustafa.
Sa i përket gatishmërisë për të shkuar në zgjedhje, Mustafa po thotë se LDK është e përkushtuar që vendit t’i ofrojë një qeverisje të mirë dhe të ndërgjegjshme.
“LDK do të punojë që vendit t’i ofrojë një qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme. Të kultivojë relacione korrekte dhe të mirëbesimit me partnerët e koalicionit dhe me opozitën”, ka thënë kreu i LDK-së.
Mustafa është shprehur se partia e tij nuk do ta bëjë asnjë veprim për të cilin mendon se nuk është i mirë për vendin, vetëm për t’i evituar zgjedhjet.