Gjykata Themelore në Pejë e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e të autorizuarit të të dënuarit Shaban Gogaj, avokatit Besnik Berisha, për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për Gogajn dhe e ka obliguar këtë të fundit që të lajmërohet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për fillimin e mbajtjes së dënimit, pas plotfuqishmërisë së këtij aktvendimi.
Ndaj Gogajt, i dënuar për vrasjen e Agonis Tetajt nga pakujdesia, Gjykata e Apelit përmes vendimit të 3 tetorit 2024 ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë sa i përket veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, duke e dënuar me dy vjet burgim. Ndaj tij, u shqiptua dënim unik me 6 vjet e 6 muaj burgim. Kurse, më 24 tetor, Supremja e kishte liruar nga masa e paraburgimit.
Në aktvendimin e marrë më 25 nëntor 2024 nga Gjykata Themelore në Pejë, thuhet se më 21 nëntor 2024, i dënuari Gogaj përmes të autorizuarit të tij, avokatit Berisha, ka parashtruar kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit, me arsyetimin se është në gjendje të rënduar të shëndetit mendor për shkak se ka qëndruar nën masën e paraburgimit për një periudhë prej më shumë se gjashtë vitesh dhe se gjatë kësaj periudhe nuk ka mundur ta shfrytëzojë asnjërin nga beneficionet e parashikuara për të dënuarit, raporton Betimi për Drejtësi.
Aty thuhet se periudha e gjatë në izolim, ia ka rënduar pozicionin personal e social, e që keqësimi i shëndetit mendor ka bërë që të kishte tendenca vetëvrasëse.
“…si pasojë, me datë 24.04.2020, Institucioni korrektues e kishte konsideruar si person me potencial për të kryer vetëvrasje, duke e vendosur në programin “përcaktimi i rrezikut për vetëvrasje”, thuhet në vendim.
Themelorja, po ashtu thekson se pas lirimit nga paraburgimi, familjarët të shqetësuar për gjendjen e përkeqësuar të Gogajt, e kishin dërguar atë për kontrolle mjekësore, ku i ishte rekomanduar familjarëve kujdes i shtuar ndaj gjendjes së tij, pasi thuhej se si pasojë e veprës së kryer nga pakujdesia është shoqëruar me ndjenja faji, vetëvlerësim negativ dhe humbje të vullnetit për jetën.
Andaj, bazuar në këto i ishte kërkuar kryetarit të Gjykatës që të aprovohet kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të dënimit deri në përmirësim të gjendjes shëndetësore të Gogajt.
Gjykata pa shqyrtimit të shkresave të lëndës, vlerësoi kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të dënimit dhe bazuar në provat e bashkëngjitura, konstatoi se kërkesa është e pabazuar, me arsyetimin se të dhënat e parashtruara në atë kërkesë nga ana e të dënuarit, nuk kanë bazë të mjaftueshme ligjore, për të cilat do vendosej të shtyhej ekzekutimi i vuajtjes së dënimit.
Po ashtu, kërkesën në fjalë me arsyetimin e problemeve me shëndetin mendor, shkalla e parë e gjeti të pabazuar edhe për faktin se shërbimi mjekësor që ofrohet në Shërbimin Korrektues të Kosovës është i mjaftueshëm për trajtimin e të dënuarit dhe ruajtjen e gjendjes së tij shëndetësore stabile.
Në vendim theksohet se ky fakt vërtetohet edhe nga deklarimet e avokatit të potencuara në kërkesë, ku deklaron se Gogaj gjatë gjithë kohës sa ka qenë në paraburgim nga viti 2020 është trajtuar nga mjekët adekuat në institucion korrektues dhe se në rast nevoje mund të trajtohet edhe jashtë burgut sipas rregullave të SHKK-së.
Ndryshe, Gjykata e Apelit përmes vendimit të 3 tetorit 2024 ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, sa i përket veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, duke e dënuar me dy vjet burgim. Ndaj Gogajt, u shqiptua dënim unik me 6 vjet e 6 muaj burgim.
Sipas Apelit, dënimi me burgim është në ekzekutim e sipër dhe të akuzuarit i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim nga 23 shtatori 2018 e deri në përfundim të dënimit të shqiptuar me burgim, por jo më gjatë sesa dënimi i shqiptuar.
Më 14 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt. Kurse, Isuf Cacajn me 2 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Gjykata e Apelit më 23 mars 2023 kishte shqyrtuar ankesat e mbrojtësit të Gogajt, avokatit Besnik Berisha, palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Kurse, pas shqyrtimit të ankesave, Apeli më 23 mars 2023 e kishte kthyer lëndën në rigjykim.
Ndërsa, më 15 mars 2024, Themelorja e dënoi sërish me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia, ndërsa Isuf Cacaj u dënua me 2 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z. Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, në dyqanin “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armën, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.